“Dhuratë nga motra” e “Kursime”/ Si e maskoi origjinën e pasurisë që e bëri kundërligjshëm zyrtari i arrestuar i MMPHI-së - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Dhuratë nga motra” e “Kursime”/ Si e maskoi origjinën e pasurisë që e bëri kundërligjshëm zyrtari i arrestuar i MMPHI-së

    Insajderi
    16 October 2024 - 17:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Naser Hafizit, Udhëheqësi i Autoriteteti të Rajonit të Pellgjeve Lumore iu deshën gjashtë vite që në mënyrë të paligjshme të përfitoj kesh rreth 110 mijë euro. Këto para u derdhën në llogarinë bankare të tij. Por, si tentoi të fsheh burimin e tyre. Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se ai ka bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë me qëllim që të fsheh burimin e tyre. Hafizi po dyshohet se ka vepruar kundërligjshëm në uljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe dhënien e lejeve ujore nga ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu.

    Nga viti 2018 deri në vitin 2024, Naser Hafizi në llogarinë e tij bankare ka deponuar 109,370.00 euro. Sipas dosjes së prokurorisë, Hafizi në vitin 2022 i ka deponuar në kesh 31,640.00, ndërsa në vitin 2023 i ka deponuar 51,070.00 euro. Pjesën tjetër të parave e ka deponuar përmes llogarive bankare të familjarëve të tij duke i cilësuar si dhurata e kursime.

    “…parat nga keshi i ka futur në sistemin bankarë me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme ashtu që ka bërë deponime përmes sistemit ATM në llogarinë bankare në PCB me numër të llogarisë 1110166858000178, ku nga viti 2018-2024, ka deponuar 109,370.00 euro, ashtu që në vitin 2022 i ka deponuar në kesh 31,640.00, ndërsa në vitin 2023 i ka deponuar 51,070.00 euro, si dhe shuma te tjera në vite të ndryshme, ka bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat tjerë një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marr me transferim bankar, pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t`i integroj duke i konvertuar e maskuar në emra të personave tjerë..” thuhet mes tjerash në dosjen e prokurorisë që ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Krejt këtë aktivitet, i pandehuri e ka bërë me qëllim që të fsheh aktivitetin e tij kriminal dhe të fsheh prejardhjen e pasurisë që e ka fituar në mënyrë të kundërligjshme përmes punës në Ministri.

    Sipas dosjes së Prokurorisë është vërtetuar se të hyra mujore të Naser Hafizit janë 732 euro pagë mujore ndërsa  nga bashkëshortja të hyra mujore janë 540 euro. Këto shuma, nuk mund të arsyetohen me pasurinë e paluajtshme të cilën e krijuar nga i pandehuri në periudhën kohore 2018-2024.

    Për këto aktivitet të kundërligjshme, Naser Hafizi po dyshohet nga Prokuroria Speciale për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” si dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave”.

    Si deklaroi rrejshëm pasurinë në APK- Fshehu banesa e para kesh

    Në cilësinë e Zyrtarit të Lartë Publik, Naser Hafizi ka qenë i detyruar të bëj deklarimin në Formularin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare që e dorëzon në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Hafizi nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë dhe ka mashtruar me deklarimin e të ardhurave të mjeteve që ka deklaruar, thuhet në dosje.

    Sipas dosjes, Hafizi nuk ka bërë deklarimin e dy banesave. Njëren në Fushë Kosovë dhe tjetrën në Prishtinë.

    “Nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara, për vitin 2020 nuk e ka deklaruar fare banesën në rrugën Bill Klinton, hyrja 3 kati i 10, nr.38, ndërsa në vitin 2022. e ka blerë banesën në Zonën Kadastrale në Fushë Kosovë, Njësia Kadastrale O-72514036-00428-22-309-14- 0, në sipërfaqe 82.25m katorë, kati i parë, po ashtu në Formularin për Deklarimin e pasurisë për vitin 2023, nuk ka deklaruar Objekti Banesor SU-4/4Hyrja, F-5 Dardani”.

    Në raportin e deklarimit të pasurisë për vitin 2024, Hafizi ka deklaruar të ardhurat vjetore personale dhe familjare.

    Ai ka deklaruar si të ardhura vjetore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 10 mijë e 240 euro.

    Ndërsa në raport, Hafizi ka cekur se ka pranuar “dhuratë nga motra që jeton jashtë” para të gatshme prej 15 mijë eurove.

    Hetimi kundër të pandehurit Naser Hafizi ka filluar me dt. 24.10.2023. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

    /Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark