
Ashtu siç u paralajmërua, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë nënshkruar të hënën pasdite një koalicion parazgjedhor.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, tha se këto dy parti kanë qenë edhe deri më tani të bashkuara porse me këtë marrëveshje “thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin në një koalicion parazgjedhor.”
“Po ndërtojmë një koalicion të ndryshimit dhe fitimtar,” ka thënë ai, duke shtuar se ky koalicion le të hapura dyert për të gjitha forcat politike që nuk pajtohen me gjendjen aktuale në vend.
Në anën tjetër, Ramush Haradinaj tha se ndjenë peshën e përgjegjësisë me lidhjen e kësaj marrëveshje me Nismën, të cilin e ka quajtur “koalicion fitues”.
Ai tutje tha se do të vazhdojnë kundërshtimin e qeverisë porse do të ketë dallim në mënyrën e kundërshtimit. Ai përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të kthehen në Kuvendin e Kosovës, pasi që sipas tij, ai kuvend nuk ka më legjitimitet.
Sipas marrëveshjes, AAK dhe Nisma dakordohen që “në zgjedhjet e ardhshme të ndërtojnë një koalicion parazgjedhor, që të mbeten të hapura për koalicion parazgjedhor për forcat e tjera politike, me përjashtim të partive që aktualisht janë në pushtet, si dhe që të mbeten të hapura për kandidatura tjera nga Shoqëria Civile, apo personalitete të tjera të jetës publike.”
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në zyrën qendrore të Nismës për Kosovën/Insajderi.com