KOMF reagon për dhunimin e dy vajzave të mitura: Këto raste po tregojnë neglizhimin institucional ndër vite - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    KOMF reagon për dhunimin e dy vajzave të mitura: Këto raste po tregojnë neglizhimin institucional ndër vite

    Insajderi
    05 November 2024 - 15:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    KOMF i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare përmes një reagimi publik thotë se ka ndjekur me shqetësim të thellë publikimet e ditëve të fundit në media për dy raste të rënda të dhunës seksuale ndaj dy vajzave të mitura.

    KOMF konstaton se këto raste janë shprehje e neglizhimit ndër vite dhe mosveprimit të duhur të institucioneve në parandalimin e këtyre sulmeve dhe abuzimeve, e performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të veprave kundër integritetit seksual, si dhe e kulturës së mos ndëshkimit të merituar të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve.

    “Kjo gjendje shoqëruar edhe me apatinë institucionale në themelimin e shërbimeve thelbësore për fuqizimin e familjeve dhe parandalimin e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku raste të tilla të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, vazhdojnë të rriten”, thuhet në reagimin e bërë për media.

    Tutje, në reagim thuhet se “dhuna seksuale ndaj fëmijëve ka pasoja shkatërruese dhe afatgjata për mirëqenien emocionale, psikologjike dhe fizike të tyre”.

    “Ajo e dëmton zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, shpesh duke shkaktuar trauma të rënda, ankth, depresion dhe probleme me besimin në vete e tek të tjerët. Viktimat mund të kenë vështirësi me vetëvlerësimin, të kenë probleme në krijimin e marrëdhënieve dhe të përballen me vështirësi në mjedisin shkollor dhe social. Pasojat e abuzimit seksual i cili është edhe forma më e rëndë e abuzimit, lënë gjurmë të të mëdha në jetën e fëmijës”, vijon reagimi.

    KOMF kërkon:

    Themelimin dhe zhvillimin e shërbimeve dhe programeve parandaluese për adresimin e abuzimit seksual të fëmijëve;

    Themelimin e linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës, i paraparë në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, për të rritur raportimin e rasteve të dhunës, abuzimit, neglizhencës dhe trafikimit të fëmijëve;

    Ofrimin urgjent të trajtimit të specializuar dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët, viktima të ngacmimit apo abuzimit seksual;

    Inspektimin e trajtimit nga institucionet shtetërore të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, gjatë pesë viteve të fundit;

    Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;

    Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Evropiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;

    Përgjegjësi penale nga të gjithë profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në rast dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve;

    “Intensifikimin e trajnimeve mbi edukimin seksual dhe parandalimin e dhunës seksuale përmes procesit mësimor në shkolla, për të fuqizuar rolin e shkollës në parandalimin e kësaj dukurie.
    Presim veprimet urgjente dhe konkrete të institucioneve për trajtimin e këtyre rasteve dhe shprehim gatishmërinë tonë si Koalicion, për të mbështetur këtë proces, për të garantuar jetë të sigurtë dhe të shëndetshme për të gjithë fëmijët”, përfundon reagimi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark