Insajderi
Lajme

Kryeministri e pranon pafuqinë ndaj ministrave serb

Insajderi
18 April 2016 - 19:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Fakti që ministrat serb në Qeverinë e Kosovës po marrin pjesë në fushatën zgjedhore të Serbisë, që po zhvillohet edhe në Kosovë, madje edhe duke i duartrokitur thirrjeve “Kosova është Serbi” për shefin e tyre, kryeministrin Isa Mustafa nuk janë edhe aq shqetësuese.

I ka quajtur “shoqërues të mbledhësve të votave” duke iu referuar liderëve të partive serbe që po mbajnë tubime zgjedhore nëpër vendbanimet serbe.

Në një postim në Facebook, kryeministri e ka quajtur politikanët dhe Qeverinë serbe si homogjene me retorikë nacionaliste, por në të njëjtën kohë nuk ka shkruar askund se çfarë masash do të ndërmarrë ndaj ministrave të kabinetit qeveritar të Kosovës që i përkrahin hapur partitë serbe në zgjedhjet e Serbisë që do të mbahen edhe në Kosovë.

Madje Mustafa nuk e në plan të merret me ta, por ka thënë të jetë i bindur se nëse jo vet ministrat, populli serb që jeton në Kosovë do ta kuptojë së shpejti se nuk i ndihmon asgjë Beogradi.

“Jam i bindur se edhe ata vet (serbët e Kosovës v.j) shumë shpejt do të binden për këtë. Dhe do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre të mos humbasin kohën duke shoqëruar mbledhësit e votave, por të punojnë fort aty ku janë dërguar, në Qeveri e në institucionet tjera të Republikës së Kosovës, për një të ardhme më të mirë për ta”, ka shkruar Mustafa.

E mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, sipas kryeministrit po lejohet duke u bazuar në vlerat e demokracisë.

“Qeveria që unë drejtoj nuk i pengon qytetarët e saj të shprehin vullnetin e tyre. Qoftë edhe duke hedhur vota për zgjedhjet e Serbisë nëpër qendrat grumbulluese të cilat do t’i menaxhoj OSBE. Përkundrazi. Ne do t’ua mundësojmë atyre ta shprehin atë vullnet”, ka shkruar Mustafa.

Deri më tani fushatë zgjedhore në Kosovë kanë mbajtur kryeministri serb Aleksandër Vuçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daciq. Edhe lideri radikal serb, Vojsllav Sheshel kishte planifikuar të vinte për fushatë në Mitrovicë të Veriut por nuk e kishte anuluar ardhjen pas paralajmërimeve se do të arrestohet, pasi Prishtina zyrtare e shpalli atë “persona non-grata”.

Madje javë më parë  ministrat e Isa Mustafës dhe zëvendësi i tij, Branimir Stojanoviq, u panë të ngazëllyer duke duartrokitur për thirrjen “Kosova është zemra e Serbisë” në Mitrovicën Veriore.

Megjithatë për kryeministrin krejt këto janë retorikë e politikës serbe karshi Kosovës. Mustafa ka thënë se Qeveria e tij, do t’i jap pandërprerë argumente popullit serb, se e ardhmja e tyre nuk është retorika nacionaliste boshe e as  mitet e rreme.

“Por, është jetesa në Kosovë, me fqinjët e tyre, me rregullat e shtetit të Kosovës, që janë rregulla evropiane të një vendi demokratik”, ka shkruar Mustafa.

E sipas Mustafës, dallga e retorikës serbe karshi Kosovës do të kalojë dhe qytetarët kosovarë të përkatësisë etnike serbe do ta kuptojnë se qëllimi i vërtetë i asaj retorike është gara e politikanëve të Serbisë për të përfituar sa më shumë vota prej tyre.

“E kur t’i marrin votat e tyre, ata do të detyrohen t’u thonë serbëve kosovarë se zgjidhjet për problemet e tyre duhet t’i kërkojnë në Prishtinë. Sepse ky do të jetë epilogu. Edhe i dialogut të Brukselit. Edhe i dialogut për përafrimin e Kosovës, por edhe Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Mustafa në Facebook.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark