
Pothuajse qe dy javë fëmijët që shkojnë në institucionin parashkollor në Han të Elezit, kanë mbetur në shtëpi, kjo pasi që çerdhja e vetme në këtë komunë është mbyllur pa paralajmërim. Opozita kanë hedhur akuza ndaj pushtetit të Mehmet Ballazhit nga PDK’ja, se po heshtin. Nga ana tjetër, çerdhja në fjalë pas disa ditëve nga mbyllja kanë dal me një njoftim se janë të mbyllur deri në një afat të papërcaktuar. Nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje për Insajderin.
Institucioni parashkollor “Ardhmëria” në Han të Elezit, është mbyllur pothuajse qe dy javë, si pasojë e kësaj edhe fëmijët që kanë qenë të regjistruar në këtë institucion kanë mbetur në shtëpi.
Sipas opozitës në këtë komunë, “Ardhmëria” është çerdhja e vetme në Han të Elezit, dhe është mbyllur pa asnjë paralajmërim.
“Nuk ka as nxemje as rrymë . Nuk dihet kur do të filloj punën!”, thuhet në reagimin e tyre.
Pas disa ditëve në heshtje, me reagim kishte dal çerdhja në fjalë, duke u kërkuar prindërve mirëkuptim, dhe duke i njoftuar se mbyllja ka ndodhur se shkak i ndërprerjeve të energjisë elektrike të cilat kanë ndodhur për shkak të mbingarkesës që ka dëmtuar kabllot.
“Përshëndetje prindër të nderuar! Uroj të jeni mirë!Ju njoftojmë se në çerdhen tonë kemi hasur pengesa për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike, të cilat kanë ndodhur për shkak të mbingarkesës që ka dëmtuar kabllot. Për këtë çështje janë informuar KEDS dhe DKA-ja, të cilët jan duke u munduar në maksimum që të evidentohet problemi i cili na ka shoqëruar kohë të gjatë”, thuhet në njoftim.
Tutje, nuk tregohet një datë e caktuar se kur do të hapet.
“Me keqardhje ju njoftojmë se fëmijët nuk do të mund ta vijojë kopshtin edukative deri në një njoftim të mëtejshëm”.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Hanit të Elezit, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer ende ndonjë përgjigje.