
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka paraqitur një kallëzim penal kundër Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe Kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi. MAPL ka gjetur disa shkelje, përmend edhe një palë të tretë që sipas tyre po fiton jashtëligjshëm. Kallëzimi është bërë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas kallëzimit penal, më 2 tetor 2024, Kryetari Rama ka nxjerrë një vendim për t’ia kaluar Ndërmarrjes Sport Marketing të drejtat dhe detyrimet për organizimin e tregut veror dhe dimëror, të njohur si “Akull N’verë” dhe “Verë N’dimër”.
Ky vendim, sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi
Në vendimin që e ka siguruar Gazeta Insajderi, MAPL ka konstatuar se vendimi është marrë pa respektuar afatet ligjore dhe pa vlerësuar ligjshmërinë e tij.
4900 euro për një shtëpizë – përfitime të padrejta “Momo Caffe and More shpk”.
Sipas MAPL, Ndërmarrja Sport Marketing ka nënshkruar kontratë me operatorit ekonomik “Momo Caffe and More shpk”, me kushte që sipas tyre rrezikojnë buxhetin e Komunës. Kontrata parashikon një dëmshpërblim prej 50% të shumës së mbetur në rast ndërprerjeje, çka sipas MAPL, mund të shkaktojë humbje të mëdha financiare për Komunën e Prishtinës.
“Momo Caffe” është nën pronësi të vëllait të kreatorit Valdrin Sahiti, Dekorim Sahitit.
Bazuar në regjistrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve figuron që si aktivitet kryesor të ketë “Restorantet dhe aktivitetet shërbyese lëvizëse të ushqimit”.
“Ndërmarrja Sport Marketing pra, nënshkruan kontratë me një operator ekonomik, në këtë rast Momo Caffe and More Shpk, në Prishtinë për organizimin e tregut veror dhe dimëror në periudhë prej pesë (5) vitesh dhe me çmimin prej 4900 euro për një shtëpizë”, thuhet në padi.
Në kallëzimin penal përmendet se këto veprime krijojnë përfitime të paligjshme për palë të treta dhe bien në kundërshtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve dhe Statutin e Komunës së Prishtinës.
Në vijim të kallëzimit penal të paraqitur nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), dokumentet shpjegojnë përgjegjësitë ligjore të Kryetarit të Komunës dhe mënyrën se si janë tejkaluar ato në rastin e organizimit të tregut dimëror dhe veror nga Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing”.
Sipas Statutit të Komunës dhe Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Kryetari i Komunës ka detyra të qarta që përfshijnë përfaqësimin e komunës, udhëheqjen e ekzekutivit, emërimin e zëvendësit të tij dhe organizimin e punës politike të komunës.
Mirëpo, kalimi i kompetencave për organizimin e tregut dimëror dhe veror tek ndërmarrja publike pa vendim të Kuvendit Komunal bie në kundërshtim me ligjin.
Për më tepër, Ministria ka konstatuar se vendimi për kalimin e këtyre kompetencave është marrë pa respektuar procedurat ligjore dhe ka krijuar përfitime të padrejta për kompaninë “Momo Caffe and More shpk”.
“Ndërmarrja Sport Marketing dhe kompetencat e saj Ndërmarrja Sport Marketing, e cila është në pronësi të Komunës së Prishtinës, sipas Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, menaxhohet nga një Komision Komunal i Aksionarëve dhe jo drejtpërdrejt nga Kryetari i Komunës”.
Ky i fundit nuk ka të drejtë të kalojë kompetenca të tilla pa miratim të Kuvendit Komunal.
MAPL ka vlerësuar se lidhja e kontratës me operatorin ekonomik për organizimin e tregut dimëror është në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke krijuar kështu pasurim të padrejtë për palët e përfshira dhe duke rrezikuar interesat financiare të Komunës dhe qytetarëve.
Tutje, thuhet se Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Lokale “Sport Marketing”, Bardh Krasniqi, kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Vepër kjo që bazuar në nenin 414 të Kodit Penal, parashikon dënime me burgim dhe gjoba për abuzim me pushtetin për përfitime të padrejta.
Sipas dokumentit, vendimi i marrë nga Kryetari Rama për kalimin e kompetencave për menaxhimin e tregut tek Ndërmarrja Sport Marketing është bërë në kundërshtim me ligjet dhe pa vlerësimin paraprak të ligjshmërisë nga MAPL.
Në kallëzimin penal thuhet se elementi kryesor i kësaj vepre penale është veprimi i qëllimshëm dhe dashakeq.
MAPL u anashkaluam nga Rama
Ministria që udhëhiqet nga Elbert Krasniqi thotë se vendimi është zbatuar edhe pasi ishte subjekt i vlerësimit të ligjshmërisë nga MAPL, duke anashkaluar qëllimisht procedurat ligjore.
Sipas tyre, Ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që ndërmarrjet e tilla të menaxhohen nga Komisioni Komunal i Aksionarëve dhe jo nga Kryetari i Komunës.
“Shkeljet e konstatuara jo vetëm që kanë dëmtuar interesat publike, por kanë krijuar rrezik për pasurim të paligjshëm të individëve të tretë”, thuhet në padinë e tyre.
Ministri Krasniqi ka apeluar te organet kompetente që të hetojnë këtë rast dhe të ndërpresin dëmet e mëtejshme ndaj buxhetit të Komunës.
Theksojmë se tregu dimëror “Verë n’Dimër” ka hapur ‘dyert’ nga 1 dhjetori.