
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën kur janë bërë tre vjet që nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel, ka thënë që është koha që “dialogu të bëhet më dinamik” dhe “të kalojmë nga procesi i normalizimit të raporteve në pajtim mes shteteve.”
“Tre vite më parë nisëm një kapitull të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon. Pas një shekulli konflikt, arritëm marrëveshjen e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së”, ka thënë presidenti, duke shtuar se ky “nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë për shtetin tonë dhe popujt e rajonit”.
“Por, ndonëse i kemi kthyer sytë nga e ardhmja më e mirë për popullin dhe shtetin, ne asnjëherë s’do të harrojmë sakrificën nëpër të cilën kemi kaluar. Për t’u siguruar që e ardhmja jonë nuk do të kërcënohet nga e kaluara, duhet që normalizimi dhe pajtimi të ndërtohen mbi drejtësi për të gjitha viktimat dhe të zbardhet fati i të pagjeturve”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.
Por sipas tij, më e rëndësishmja është se “jemi në rrugën e drejtë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”.
“Normalizimi dhe pajtimi mes shteteve dhe popujve nuk ka alternativë”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka kërkuar që të rritet efikasiteti në implementimin e marrëveshjeve të arritura./Insajderi.com