Dy institucione tjera paralele janë mbyllur të mërkurën më 8 janar, në veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës gjatë një aksioni të zhvilluar mbylli Administratën Tatimore, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, si dhe kompaninë e sigurimeve “Dunav Osiguranje”, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani lidhur me mbylljen e kompanisë së sigurimeve, tha se policia në këtë aksion asistoi zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, dhe se prokurori e cilësoi rastin si “shpërdorim të veprimtarisë ekonomike”.
Lidhur me këtë, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka dhënë detaje rreth operimit të kësaj kompanie në veri të vendit.
Sipas BQK-së, kompania e cila është përfshirë në hetime nuk kishte licencë për operim në territorin e Kosovës.
“Në përgjigje ndaj informatës zyrtare nga Policia për dyshimin nëse operon me ose pa licencë një kompani sigurimi, BQK në kuadër të mandatit të saj ka informuar se një kompani e tillë nuk ka licencë për operim në Kosovë dhe sipas nenit 5 (par. 1 dhe 4) të Ligjit për Sigurime (Nr. 05/L-045), asnjë person s’mund të operojë pa licencë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
BQK ka njoftuar se ka realizuar një inspektim të përbashkët me autoritetet kompetente ligjzbatuese për të verifikuar nëse aktiviteti i kompanisë është i regjistruar si sigurues dhe nëse ajo ka vepruar pa licencë, siç parashikon ligji.
“Për të shqyrtuar dhe verifikuar nëse aktiviteti ishte sigurues dhe si i tillë duhej licencë, është realizuar një inspektim në terren së bashku me autoritet kompetente ligjzbatuese, ndërsa rezultatet e tij të grupuara procedohen tutje nga institucionet përgjegjëse sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në përgjigjen e BQK-së, për Telegrafin.
BQK ka theksuar se do të ndërmarrë veprimet e duhura ligjore për të siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm dhe në përputhje me ligjin, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit për të garantuar respektimin e rregulloreve të përcaktuara.
Dunav Osiguranje është një shoqëri aksionare nga Serbia, e cila ofron mbi 100 shërbime në fushën e sigurimeve të jetës dhe të pasurisë.
Mbyllja e tyre është vazhdim i aksioneve për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat autoritetet zyrtare të Prishtinës i konsiderojnë “të paligjshme”.
Kosova filloi mbylljen e institucioneve serbe në janar të vitit 2024 dhe deri më tani janë mbyllur një numër komunash paralele serbe në Dragash, Suharekë, Prizren, Rahovec, Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Thesari i Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq, Banka e Kursimeve Postare, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri, Drejtoria e Urbanizmit, Drejtoria e Hapësirave të Banimit dhe Biznesit dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore në veri të Mitrovicës.