
Kishin vendosur që të shkonin të protestonin kundër trajtimit të kafshëeve në cirk, duke kërkuar bojkotimin e cirkut që po mbahet në kryeqytet, por disa aktivistë të mbrojtjes së drejtave të kafshëve nga Prishtina, thonë se janë sulmuar nga organizatorët “Cirku Belluci” nga Shkodra.
Aktivistët kanë postuar këtë lajm në grupin në Facebook, “Të bashkuar për kafshët”, duke treguar se janë sulmuar nga roja e “Cirkut Belluci”.
“Sot patëm një ndeshje me organizatorët e cirkut si dhe shefin e sigurimit i cili na kërcënoj…”, ka shkruar një nga aktivistët.
Sipas këtij postimi, roja në hyrje të cirkut që po mbahet në një pronë afër Stacionit të Autobusëve, ka thirrur Policinë e Kosovën për t’i larguar.
“Por Polica nuk mori masa për të na larguar, për arsye se kemi qenë në pronë publike dhe nuk kemi bërë asnjë dëm ndaj cirkut”, ka shkruar aktivistja në Facebook.
“Pastaj na erdhi një individ, i paguar nga cirku, dhe tentoi të na sulmonte fizikisht”, shkruan tutje kjo aktiviste.
Personin sipas saj e ka larguar Policia e Kosovës.
Aktivistët “Të bashkuar për kafshët” do të protestojnë edhe të mërkurën kundër këtij cirku. Ata kanë ftuar të gjithë qytetarët që brengosen për të drejtat e kafshëve që të protestojnë duke filluar nga ora 15:30.