Fëmijët që vdiqën tragjikisht në Jabllanicë varrosen sot - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Fëmijët që vdiqën tragjikisht në Jabllanicë varrosen sot

    Insajderi
    03 February 2025 - 08:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tre nxënësit e shkollës fillore në Jabllanicë të Gjakovës (njëri 13 dhe dy të tjerët nga 15 vjeç) do të varrosen sot në orën 14:00 në varrezat e fshatit, ku vdiqën të shtunën si pasojë e shembjes së një objekti.

    Shkolla fillore “Dëshmorët e Kombit” publikoi njoftimin mortor, ndërsa u shprehu ngushëllime familjarëve dhe shokëve e shoqeve të të miturve.

    “Ideali, Rama dhe Vetoni do të mbahen mend përher si nxënës të hareshëm të dashur me shokët dhe shoqet e tyre të klases, si dhe të përkushtuar në mësime! Në këto momente të rënda, mendimet dhe lutjet tona qëndrojnë me familjet, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ti njihnin”, thuhet në reagimin e shkollës.

    Familjet Morina, Rama dhe Mehmetaj shprehën dhimbjen e madhe për këtë ngjarje tragjike në njoftimin mortor, në të cilin. ndër tjerash shkruhet: “Largimi i tyre i parakohshëm ka lënë një boshllëk të madh në zemrat tona”.

    Policia tha në raportin 24-orësh se objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë – dy 15 dhe tjetri 13 vjeç – ishin brenda kur u zunë nga pllaka.

    Majori i Policisë, Milazim Lumi tha se objekti kishte mbetur i pabanuar që prej luftës më 1999.

    Familjari i viktimave, Përparim Ademaj, ka thënë të dielën për mediat lokale se të rinjtë kanë dalë disa orë para incidentit për të luajtur së bashku, ndërsa familjarët e kanë zbuluar se ata kanë qenë në objektin e rrënuar nga dridhjet e telefonave, sa kanë qenë duke i kërkuar në rrethinë.

    Sipas tij, kamerat e shtëpive në afërsi tregojnë se objekti i pabanuar është shembur rreth orës 16:35 të shtunën, ndërsa trupat e viktimave janë gjetur pas gati gjashtë orëve.

    “Policia, ambulancat, zjarrfikësit kanë ardhur shumë shpejt. I kemi gjetur pa shenja jete”, ka thënë ai.

    Familjarët kanë bërë të ditur se trupat e tre djemve do të varrosen të hënën në varrezat e fshatit Jabllanicë.

    Zyra e Prokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar dhe të gjitha njësitet tjera përkatëse të Policisë së Kosovës, dhe që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit.

    Trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark