Insajderi
Hulumtime/Analiza

Zyra e Kryeministrit shpërblen me tender afro 50 mijë euro pronarin e autobusëve që ishte arrestuar nën dyshimin për kontrabandë me medikamente

Insajderi
18 February 2025 - 14:21
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Zyra e Kryeministrit shpërblen me tender afro 50 mijë euro pronarin e autobusëve që ishte arrestuar nën dyshimin për kontrabandë me medikamente
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyra e Kryeministrit ka nënshkruar kontratën për “Shërbime të transportit me autobus”. Me këtë tender afro 50 mijë euro është shpërblyer pronari i agjensionit “turistik” Memi Reisen” Muhamet Hajdari. Gazeta Insajderi në vitin 2023 kishte raportuar për arrestimin e pronarit Muhamet Hajdarit, nën dyshimin se kishte kontrabanduar medikamente të ndryshme me vlerë rreth 15 mijë euro përmes një autobusit në pikën kufitare Kosovë – Shqipëri. Insajderi ju sjell detaje.

Gazeta Insajderi

Zyra e Kryeministrit, me 24 janar të vitit 2025, ka nënshkruar tender për “Shërbime të transportit me autobus”. Vlera e parashikuar e këtij tenderi ka qenë 60,000 euro.

Kohëzgjatja e kontratës ceket të jetë 24 muaj.

Me këtë tender, Zyra e Kryeministrit ka shpërblyer kompaninë “Memi Reisen”, me pronar Muhamet A Hajdari.

Vlera e përgjithshme e tenderit është 46 mijë e 990 euro.

Përshkrimi i detajuar i kontratës përfshin:

Transport me autobusë jashtë vendit: 15,000 km

Transport me autobusë brenda vendit: 10,000 km

Transport me minibusë jashtë vendit: 5,000 km

Transport me minibusë brenda vendit: 5,000 km

Ky tender ka synuar të sigurojë shërbime të transportit të nevojshme për organizime të ndryshme të qeverive rajonale dhe përdorime të tjera organizative si grupet punuese dhe trajnimet. 

Ndryshe, kompanisë e cila është shpërblyer me tender afro 50 mijë euro nga Zyra e Kryeministrit, në shtator të 2023’tës, i ishin sekuestruar 15 pako me barna në pikën kufitare në Morinë.

Policia kufitare e Shqipërisë pati njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar i cili ishte shoferi dhe pronari i autobusit, përmes së cilit u tentua të bëhej kontrabanda.

Gazeta Insajderi me 27 shtator të vitit 2023, kishte raportuar se personi i arrestuar që dyshohej për kontrabandë me mallra ishte pronari i agjensionit “Memi Reisen”, Muhamet Hajdari.

Sipas autoriteteve doganore, përmes linjës së autobusit Prishtinë-Tiranë u tentua të kontrabandohen 15 kuti me medikamente që kapin vlerën 15 mijë euro.

Ndaj tij ishte ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”.

Atë kohë kishte pas reaguar djali i të dyshuarit, Erjon Hajdari, duke e cilësuar lajmin e Insajderit pa fakte dhe të rremë. Lajm ky që ishte bazuar mbi informatat zyrtare të Policisë së Shtetit të Shqipërisë.

Në një reagim publik që kishte bërë Hajdari, kishte pretenduar se mallrat nuk ishin në pronësi të babait të tij, Muhametit – pronarit të kompanisë por ishin të një udhëtari.

Sipas tij, udhëtari në fjalë ka future në bagazhin e autobusit pakot me medikamente pa njoftuar shoferin e autobusit./Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark