
Ambasada Amerikane në Prishtinë, UNMIK-u dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar vendimin e institucioneve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Qendrave për Punë Sociale në Veri të vendit, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb. Mbyllja është bërë për shkak të dyshimeve se në këto qendra janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”. Por, kush e dha urdhrin për mbylljen e këtyre pikave?
Pas këtyre reagimeve ndërkombëtare, gjykata dhe prokuroria janë deklaruar për rastin.
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka sqaruar për Gazetën Insajderi se nuk ka marrë vendim për mbylljen e Qendrave për Punë Sociale në veri të vendit, por ka lëshuar një urdhërkontroll për bastisjen e tyre.
“Referuar kërkesës suaj për të marr informata lidhur me këtë rast, ju njoftojmë që Gjyqtarja e Procedurës Paraprake në Departamentin e Përgjithshëm Penal pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke vendosur sipas Kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm me datë 19.02.2025 e ka lëshuar Urdhërkontrollin në katër (4) lokacione të ndryshme, të cilat kanë shërbyer si Qendra për Punë Sociale në kuadër të strukturave paralele“, thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas gjykatës, dyshimet janë se në këto qendra, personat e identifikuar kanë kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, sipas nenit 390, paragrafi 1, në lidhje me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata, thuhet se ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për bastisje, por ka theksuar se nuk ka marrë vendim për mbylljen e këtyre qendrave.
Në anën tjetër nga Prokuroria kanë thënë se “Kontrolli në këto qendra është zbatuar me urdhëresë të gjykatës.”
Çka tha policia?
Policia e Kosovës më 21 shkurt bastisi katër Qendra për Punë Sociale në veri të vendit, nën dyshimin se përmes kërcënimeve kanë ndikuar te qytetarët që të votojnë për një parti të caktuar.
Pas bastisjes së kryer, policia i mbylli këto qendra.
Sipas njoftimit, Policia tha se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale”, tha Policia, dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Reagime e ndërkombëtarëve
Ambasada e SHBA’së në Kosovë ka reaguar për mbylljen e qendrave serbe për punë sociale në Kosovë.
Përmes një postimi në “X” ambasada amerikane thotë se është e shqetësuar për këtë veprim “të pakoordinuar”.
Ambasada shton se veprime të tilla mund të ndikojnë negativisht jo vetëm tek mijëra qytetarë të Kosovës, por edhe në të ardhmen evropiane të vendit dhe në marrëdhëniet dypalëshe me partnerët ndërkombëtarë.
“Ambasada e SHBA’së është e shqetësuar nga mbylljet e papritura dhe të pakoordinuara të zyrave të mirëqenies së Serbisë në Kosovë. Veprimet e tilla ndikojnë negativisht në mijëra qytetarëve të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona bilaterale”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian tha se statusi i objekteve të Serbisë në veri të Kosovës, që ofrojnë shërbime sociale, duhet të zgjidhet në dialogun që e lehtëson blloku, duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos i mbyllë këto struktura.
Edhe UNMIK ka kundërshtuar mbylljen e qendrave për punë sociale në veri të Kosovës, të cilat financoheshin nga Serbia.
Sipas UNMIK-ut, ky veprim i institucioneve të Kosovës do të ndikojë negativisht në përditshmërinë e njerëzve.
Teksa, ka bërë thirrje që kjo dhe çështje të tjera të pazgjidhura të diskutohen në mënyrë konstruktive në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Theksojmë se ky nuk është rasti i vetëm që Policia e Kosovës ka mbyllur institucione serbe në veri të vendit.