
Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, si duket është përfshirë në një konflikt interesi për subvencionimin e një klubi futbollistik. Dyshohet se Bulliqi i dha subvencione klubit ku ishte zgjedhur kryetar para një viti. E dyshimet për konflikt interesi shtohen, pasi vendimi është nënshkruar nga nënkryetarja e komunës. Ditë më parë, për një veprim të ngjashëm një drejtor në Obiliq është gjetur fajtor nga Gjykata. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Komuna e Podujevës, me datën 1 korrik kishte ndarë mbështetje financiare për OJQ’në, klubin e futbollit Veteranët-Llapi.
Ky klub ka përfituar 2000 euro për mbështetje financiare, nga komuna.
“OJQ Klubin i Futbollit Veteranët-Llapi në Podujevë, për organizimin e aktiviteteve sportive në komunën e Podujevës, sipas Thirrjes publike të datës 19.03.2024 dhe listës përfundimtare të përfituesve të rekomanduar nga komisioni vlerësues, mbështet me mjete financiare në shumë 2000 euro”, thuhet në vendim.
Ajo çka bie në sy është detaji, se këtë vendim e ka nënshkruar nënkryetarja e komunës së Podujevës, Marigona Lahu, e jo kryetari Shpejtim Bulliqi.
Siç ka gjetur Insajderi, Organizata Joqeveritare “Klubi i futbollit Veteranët-Llapi”, është themeluar nga tre persona, Afrim Gashi, Vllaznim Visoka, Berat Berisha.
Ky i fundit, është edhe përfaqësues i autorizuar i klubit.
Mirëpo, sipas burimeve të Insajderit “Klubi i Futbollit Veteranët-Llapi”, e ka në krye kryetarin e vetë kësaj komune, Shpejtim Bulliqin. E këtu ngriten dyshime për konflikt interesi, se Bulliqi e ka subvencionuar klubin ku ai është kryetar.
Kjo konfirmohet edhe nga një postim i përfaqësuesit të autorizuar të klubit, Berat Berishës.
Berisha me 13 prill të 2024’tës kishte njoftuar se me atë datë ishte mbajtur Kuvendi zgjedhor i KFV Llapi.
Tutje ai ka njoftuar se gjatë këtij kuvendi e kanë zgjedhur edhe kryesinë e re të Klubit Futbollistik Llapi, i cili është Shpejtim Bulliqi.
“Gjatë këtij kuvendi u zgjodh edhe kryesia e re e KFV LLAPI në krye me Kryetarin e ri tashmë të klubit të veteraneve të Llapit z. Shpejtim Bulliqi”, kishte shkruar Berisha.
Kryetari Bulliqi shihet edhe në shoqërinë e përfaqësuesit të autorizuar të klubit, Berat Berishës.
Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje kryetarit të komunë së Podujevës, Shpejtim Bulliqit, se a ka pas ndikim që të subvencionohet klubi ku ai është kryetar, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
Insajderi poashtu ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga KFV Llapi dhe Berat Berisha, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërsa, lidhur me këtë subvencionim, Insajderi ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, se a ka pas ndonjë hetim për Shpejtim Bulliqin që i ka dhëne subvencion klubit ku është kryetar/Insajderi.org/
Insajderi javë më parë ka raportuar për një rast pothuajse të përafërt, për drejtorin e komunës së Obiliqit. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Armend Mirenës, drejtorit të Komunës së Obiliqit, për veprën e konfliktit të interesit, pasi ai i dha subvencione klubit që vetë e kishte themeluar.
Armend Mirena dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën zyrtar në Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Obiliqit si dhe Kryetar i Komisionit për ndarje të Subvencioneve për këtë Drejtori, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.
Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë për drejtorin e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Armend Mirena.
Mirena është dënuar me një gjobë prej 5 mijë eurosh, ndërkohë që dënimi me burg është zëvendësuar me një shumë më të lartë gjobë./Insajderi.org/