“Naser Hafizi përben rrezik për dëshmitarët”, pse iu caktua njeriut të Liburn Aliut masa e arrestit shtëpiak - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Naser Hafizi përben rrezik për dëshmitarët”, pse iu caktua njeriut të Liburn Aliut masa e arrestit shtëpiak

    Insajderi
    06 March 2025 - 22:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, është liruar nga masa e paraburgimit. Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të zëvendësojë paraburgimin me masën e arrestit shtëpiak për një periudhë prej një muaji, nga 6 marsi deri më 6 prill 2025, shkruan Insajderi.

    Hafizi, i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përfshirje në pastrim parash, është akuzuar për shpëlarje parash dhe mosraportim të pasurisë.

    Sipas vendimit të gjykatës, ai do të qëndrojë në arrest shtëpiak dhe nuk do të ketë mundësi të kontaktojë persona të tjerë përveç atyre me të cilët bashkëjeton.

    Arrestimi shtëpiak është vendosur me arsyetimin se Hafizi mund të ndikojë te dëshmitarët dhe të pengojë zhvillimin e hetimeve.

    Prokuroria Speciale kishte kërkuar vazhdimin e paraburgimit, duke theksuar se rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët mbetet i lartë. Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për momentin, por ka paralajmëruar se në rast të shkeljes së kushteve, ai do të rikthehet në paraburgim.

    Në aktvendimin e siguruar nga Insajderi, potencohet se disa dëshmitarë kanë dhënë deklarata nën presion dhe se ka shqetësime që Hafizi mund të përpiqet të fsheh ose falsifikojë prova.

    Çka pretendon Prokuroria?

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dyshime të bazuara se Naser Hafizi, si zyrtar i lartë publik, ka shpërdoruar pozitën e tij duke ndikuar në vendimmarrjen për lejet ujore dhe duke ushtruar presion mbi zyrtarët për të miratuar kërkesa në kundërshtim me kriteret ligjore.

    Në aktvendimin e siguruar, thuhet se veprimet e tij kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës dhe kanë ndikuar në marrjen e vendimeve të konsideruara të dëmshme për financat publike.

    Sipas dokumentit, Hafizi dyshohet se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjithashtu, ekziston dyshimi se ai ka fshehur burimin e pasurisë së tij të paligjshme duke e paraqitur si kursime, hua apo dhurata nga persona të tjerë.

    Në disa raste, paratë e marra nga huamarrësit janë kthyer në formë të transaksioneve bankare, duke u kamufluar si transfere të ligjshme për t’u integruar më pas në pasuritë e tij të paluajtshme.

    Sipas hetimeve, këto transaksione financiare janë bërë në periudhën 2018-2024 dhe përfshijnë shuma të cilat nuk mund të arsyetohen me të ardhurat e tij të ligjshme.

    Për këto veprime, Hafizi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpëlarjes së parave” sipas nenit 302 të KPRK-së, si dhe për shkelje të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

    Prokuroria po ashtu ka konstatuar se Hafizi, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, nuk ka deklaruar të gjitha pasuritë e tij, duke përfshirë një banesë në Prishtinë dhe një pronë në zonën kadastrale të Fushë Kosovës.

    Sipas ligjit, ai kishte për detyrë të raportonte pasurinë e tij çdo vit, por ka shmangur këtë detyrim për periudhën 2020-2023. Për këtë arsye, ai akuzohet edhe për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë sipas nenit 430, paragrafi 2 të KPRK-së.

    Gjykata ka mbështetur dyshimet mbi bazën e provave të mjaftueshme që tregojnë përfshirjen e tij në këto aktivitete të paligjshme.

    Në mesin e dokumenteve të siguruara janë edhe vendime financiare për kompani të ndryshme, të cilat lidhen me përdorimin e fondeve publike në mënyrë të dyshimtë.

    Lajmin për lirimin e tij nga paraburgimi e ka bërë të ditur avokati i tij, Ahmet Tahiri, i cili shtoi se “epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”.

    “Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij,” ka shkruar Tahiri në Facebook.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark