Operacioni i djeshëm i forcave të rendit në objektin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që rezultoi me arrestimin e sekretarit të përgjithshëm, Izedin Bytyqit, nuk ishte i pari, e rrezikon të mos jetë as i fundit përgjatë mandatit të Liburn Aliut. Në po të njëjtin objekt policia ishin futur edhe në janar të 2022-ës, ku kishin arrestuar zyrtarë të lartë të kësaj ministrie për rastin “Brezovica”. Përgjatë qeverisjes së Aliut doli që shefi i tenderëve të ministrisë së tij është i përfshirë në vepra që lidhen me korrupsionin. Këtë e konstatoi Departamenti amerikan i Shtetit, duke e sanksionuar atë.
Gazeta Insajderi
Izedin Bytyqit në shtëpinë e tij përgjatë operacionit policia në bashkëpunim me prokurorinë ia gjeti një revole me dy karikatorë. Po ashtu edhe dhjetëra fishekë, shkruan Insajderi.
“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare””, u tha në njoftimin e përbashkët të policisë dhe të prokurorisë.
Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse “hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal”.
Policia e Prokuroria kanë njoftuar se për këtë rast është lëshuar edhe urdhër përkohshëm i ndalimit për gjashtë banesa në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, pa njoftuar se kush është pronari i tyre.
Insajderi raportoi gjatë ditës se krejt ky operacion është bërë në kuadër të dyshimeve lidhur me faljen e borxheve të kompanive për ambalazhimin e ujit.
Në kërkim është edhe Naser Hafizi, drejtor i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Infrastrukturës për “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “shpëlarje e parave” dhe “mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë”.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që forcat e rendit kanë vënë këmbë në objektin e MMPHI-së. Në janar të 2022-ës, në një operacion në kuadër të aksionit “Brezovica” që ishte zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme, në MMPHI ishte arrestuar kryeinspektori Bedri Halimi, ish-sekretari i përgjithshëm Arben Çitaku dhe Mustafë Hyseni, shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave.
Sidoqoftë, shkalla e parë e gjykatës kishte shpallur të pafajshëm Halimin.
Prokuroria e akuzonte Arben Çitakun si ish-sekretar në MMPH, për marrjen e vendimeve për pëlqime mjedisore dhe ujore për objektet ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, Zona e Brezovicës.
Ndërsa, të akuzuarit Halimi dhe Hyseni organi i akuzës i akuzonte se nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimet ligjore-ekzekutive për të ndaluar ndërtimet e vikend-shtëpive dhe objekteve hoteliere në Parkun Kombëtar “Sharri” – vikend zona e Brezovicës, edhe pse ishin në dijeni se objektet ishin duke u ndërtuar pa pëlqime mjedisore dhe në afërsi të lumit.
Po ashtu, në nëntor të 2023-ës Departamenti amerikan i Shtetit kishte vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në ministrinë e Aliut, për “përfshirje në korrupsion të madh”.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, thuhej në njoftim.
Në vitin 2015, Krasniqi ishte dënuar me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.
Krasniqi, dy javë pas pezullimit nga pozita e shefit të tenderëve, u zhvendos në një pozitë të re në po të njëjtën ministri. Sipas një vendimi të dalë në media, Krasniqi ishte emëruar përkohësisht Drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kush është Izedin Bytyqi, kuadroja e LDK’së që u armatos në pushtetin e Kurtit?
Bytyqi vlerësohet si person i afërt me Besnik Mustafën, djalin e ish-kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës.
Ai besohet të ketë pasur “gisht” në emërimin e gruas së Mustafës, Edita Bajramit, në njërën nga ministritë ku ky shërbente si sekretar i përgjithshëm. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku Bajrami u angazhu si eksperte në rishikimin e Strategjisë Sektoriale.
Angazhimin e resë së ish-kryeministrit Mustafa e pati konfirmuar vetë Izedin Bytyqi. Ai pati thënë se Bajrami ishte angazhuar në kuadër të një projekti që, sipas tij, Ministria e pati ndërmarrë në bashkëpunim me Komisionin Evropian për rishikimin e një strategjie të ministrisë.
Bytyqi që në dy mandate kishte shërbyer si sekretar në ministritë e udhëhequra nga LDK-ja nuk e kishte deklaruar pasurinë në vitin 2011, derisa ishte udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Bytyqi po ashtu akuzohet për përfshirje në rastin e keqpërdorimeve të dyshuara në një tender disa milionësh për rrugën Prizren-Prevallë.
Ai para katër vitesh ishte shkarkuar nga Arban Abrashi, atëkohë ministër i Infrastrukturës. Bazuar në atë vendim, Abrashi kishte obliguar Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që sekretari i shkarkuar të sistemohej në pozitën “drejtor departamenti” në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.
Bytyqi më pas ishte kthyer në këtë pozitë përgjatë këtij viti, nën Qeverinë Kurti.
“Izedin Bytyqi, zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, caktohet zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. I emëruari nga pika 1 e këtij vendimi ushtron përgjegjësitë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sipas dispozitave ligjore të parapara në ligjin nr.06/L-113 për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura si dhe dispozitave të tjera ligjore përkatëse në fuqi”, thuhej në vendimin e nënshkruar nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, që mban datën 7 qershor të këtij viti.
Akterë të pushtetit e kanë quajtur këtë operacion bastisjeje të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës si “film”.
Kurti u deklarua për operacionin e djeshem. Ai iu dha pak “ders” gazetarëve duke iu kërkuar që të mos i referohen Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si “ministria e Liburn Aliut”.
“Së pari ministria nuk është e Liburn Aliut, Liburn Aliu nuk ka ministri. Ai është vetë ministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ministria është në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Që të gjithë ne jemi këtu punëtorë, nuk jemi pronarë, jemi shërbyes asnjëri. Fjala ministër vjen prej latinishtes që do të thotë shërbëtor, prandaj s’jemi pronarë, ministria e këtij ose atij, kjo s’është dashur të jetë asnjëherë por ndoshta për shkak të së kaluarës kur edhe ashtu është dukur sepse ashtu janë sjellur, kanë ngelur këto keqkuptime”.
Ndërkohë për Bytyqin ai tha se punon në institucionet e Kosovës qe dy dekada, por tha se nuk mund të japë gjykime përmbajtjesore pasi sipas tij mungon informacioni.
“Tash personi i parë i arrestuar është një zyrtar i cili punon në institucionet e shtetit të Kosovës që prej dy dekadave dhe unë nuk kam informacion se për çfarë janë hetuar, arrestuar e përndjekur, nuk e di këtë gjë por unë besoj që gjithçka do të sqarohet sepse drejtësia do të veprojë ama nuk mundem në kushtet kur mungon informacioni, përveç imazheve që shfaqen në media tona, të japë tash gjykime përmbajtjesore, e kam të pamundur”, tha ai. /Insajderi.org/