
Gjyqtari Veli Kryeziu në cilësinë e dëshmitarit, seancën e fundit të avokatit Hamdi Jashari që po akuzohet për veprën penale “ushtrim i ndikimit”, bëri disa deklarata të çuditshme përgjatë dëshmisë së tij.
Kryeziu, si fillim, në këtë seancë tregoi se si deshi ta amnistonte në rast të ndonjë përgjegjësie penale kolegun e tij, Naser Maliqin, para se ta paraqiste rastin e Jasharit.
“Gjatë rrugës nga Shqipëria për në Kosovë e kam telefonuar kryetarin e trupit gjykues, Naser Maliqi, dhe e kam njoftuar se si është puna, përkatësisht Hamdi Jashari ka kërkuar 8000 euro në emër të trupit gjykues dhe e pyeta a mos je i implikuar në këtë rast e të mos e lajmëroja rastin në polici por ai Naser Maliqi më ka shti në be në tre fëmijët e mi duke më thënë “të lutem Veli, pashë fëmijët shko ma shpejt e lajmëroje rastin””, tha ndër të tjera ai, sipas procesverbalit të cilin e ka parë Insajderi.
Moslajmërimi i veprës penale përbën vepër penale, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, në dëshmi Kryeziu ka specifikuar edhe se ka anashkaluar hallkën zinxhirore të paraqitjes së rasteve, duke shkuar drejtpërdrejt tek ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Për të thotë se ka edhe raporte shoqërore me të, meqë kanë qenë në një gjeneratë.
“Dhe për një moment e kam thirr UD kryeprokurorin e shtetit Besim Kelmendin me të cilin kam edhe raporte shoqërore pasi kemi qenë dhe jemi në një gjeneratë, pasi fola me të ia tregova komplet ngjarjen, ai më ka thënë ” Veli eja nesër në ora 08:30 të pres në zyre” dhe unë pa hezitim kam udhëtuar gjatë tërë natës dhe kam arritur te kryeprokurori në kohën e caktuar, aty se bashku kemi dëgjuar audio incizimet dhe aty shifet fotografia e tani të akuzuarit duke biseduar me personin me mbiemrin … . Pas dëgjimit të këtyre audio incizimeve ushtruesi Besim Kelmendi ka ftuar kapiten … në telefon dhe së bashku me nje staf nga prokuroria e shtetit kemi shkuar në drejtorinë qendrore të Policisë së Kosovës ku më ka pritur kapiten … e cili ka caktuar një hetues me mbiemrin …”, thuhet ndër të tjera në dëshminë e gjykatësit, në cilësinë e dëshmitarit.
Gjyqtari po ashtu ka shfaqur mosbesim ndaj Policisë dhe Prokurorisë në Gjilan. Përgjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se arsyeja pse ka shkuar direkt tek u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit është nga frika se rasti mund të mbyllet.
“Arsyeja pse rastin e kam paraqitur te UD KP Besim Kelmendi ka qenë sepse po ta paraqitja në Gjilan kam pasur dyshimet e mia se as nga policia e as nga prokuroria nuk do t ndërmerrej diçka përkatësisht ky rast do të heshtej“, ka thënë ai në seancën e fundit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Gjykatën Themelore në Gjilan për ta pyetur nëse pritet të merret ndonjë masë ndaj gjyqtarit Kryeziu, mirëpo të njëjtit kanë thënë se janë në mbledhje të provave.
“Jemi duke analizuar rastin dhe nuk kemi ardhur në përfundim akoma“, ka thënë shkurtimisht në një përgjigje me email zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.
Emri i Kryeziut është jo pak i njohur në media. Atij iu ishte publikuar një audio incizim për sjellje të këqija dhe për tentativë në korrupsion.
“Duhesh me respektu vendimin e këtuhit se respekton, ta çoj Policinë të lidhin si qen të ngrehin zhag, komt te përpjetë”, deklaronte gjyqtari ndaj një pale që ishte në shqyrtim.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 29 mars të vitit të kaluar, kishte marrë një vendim disiplinor kundër gjykatësit Kryeziu.
E.S. e kishte raportuar gjyqtarin se është duke e shqetësuar, duke i shkruar në Viber dhe i kishte dërguar foto për ta pyetur për disa çanta.
Sipas shkresës për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit, Kryeziu kishte kërkuar nga praktikantja që të krijojë lidhje dashurie me djalin e tij.
Sipas vendimit të Këshillit, ankuesja ka qenë praktikante për rreth dy muaj në zyrën e Kryeziut.
Kryeziu nuk e kishte mohuar faktin se e ka thirrur për kafe e drekë disa herë pasi që kishte dëshirë për ta bërë nuse të djalit të tij.
Për këtë, atij iu ishte shqiptuar nga KGJK’ja masa e zvogëlimit të rrogës për 30 për qind për 6 muaj. /Insajderi.org/