
Njësia për Krime Ekonomike ka bastisur sot Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa në polici është shoqëruar zyrtari i kësaj ministrie, Bedri Dobra, nga Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje.
Pas marrjes në pyetje nga policia, Dobra ka reaguar në rrjetet sociale, duke mohuar akuzat dhe duke e cilësuar bastisjen si një padrejtësi të madhe.
Ai ka deklaruar se ndodhet në shtëpi dhe ka falënderuar institucionet për korrektësinë e tyre gjatë intervistimit.
“Sot ka ndodhur një padrejtësi e madhe. Nuk e di nëse ka qenë e qëllimshme apo jo, por ajo që di me siguri është se storja që është transmetuar në televizion është e pavërtetë,” ka shkruar Dobra.
Ai ka paralajmëruar veprime ligjore për të adresuar, siç thotë ai, dëmtimin e imazhit të tij dhe shqetësimin e shkaktuar familjes së tij.
“Ky sulm ndaj meje dhe familjes sime nuk mund të kalojë pa përgjigje. Do të ndjekim rrugët ligjore për të adresuar këtë situatë,” ka shkruar ai.
Dobra tha se Ministria e Bujqësisë ka reaguar dhe demantuar lajmin e transmetuar në media dhe ka publikuar, sipas saj, fakte që e dëshmojnë të pavërtetën e pretendimeve.
“Ministria tashmë e ka demantuar lajmin e pavërtetë me fakte në faqen e saj zyrtare. Unë mbetem gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim. Tani jam në shtëpi, duke pritur iftarin”.