Komuna e Pejës del me sqarim për gjendjen e rrugës Pejë – Rugovë, ia hedh fajin Ministrisë së Infrastrukturës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Komuna e Pejës del me sqarim për gjendjen e rrugës Pejë – Rugovë, ia hedh fajin Ministrisë së Infrastrukturës

    Insajderi
    01 April 2025 - 23:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Faik Zekaj, zëdhënës i Komunës së Pejës, ka bërë një sqarim lidhur me gjendjen e aksit rrugor Pejë – Rugovë.

    Zekaj tha se mirëmbajtja dhe rregullimi i kësaj rruge nuk janë në kompetencat e Komunës së Pejës, por sipas tij, janë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Aksi rrugor Pejë – Rugovë është bërë vështirë i kalueshëm dhe i rrezikshëm për qytetarët për shkak të rrëshqitjes së gurëve.

    Tutje, Zekaj u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar ndërsa ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme pa vonesë.

    Njoftimi i plotë:

    Sqarim Publik nga Komuna e Pejës për aksin rrugor Pejë – Rugovë !

    Komuna e Pejës ka kohë që është e shqetësuar për gjendjen e aksit rrugor Pejë – Rugovës, një rrugë me rëndësi të madhe për qytetarët, turistët dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Fatkeqësisht, prej vitesh kjo rrugë është në një gjendje të mjerueshme, duke paraqitur rrezik për qytetarët dhe duke dëmtuar imazhin e destinacionit tonë turistik.

    Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se mirëmbajtja dhe rregullimi i kësaj rruge nuk janë në kompetencë të Komunës së Pejës, por janë përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Përkundër kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje dhe mirëmbajtje të duhur, gjendja e rrugës vazhdon të përkeqësohet, duke e vështirësuar lëvizjen dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

    Në pamjet e ndara me publikun, shihen qartë pasojat e mungesës së përkujdesjes ndaj kësaj rruge, ku një kamion shihet duke tërhequr zvarrë një shkëmb të madh në mes të rrugës. Kjo situatë tregon qartë mungesën e investimeve dhe përkushtimit për të garantuar sigurinë e qarkullimit rrugor.

    Ftojmë të gjithë qytetarët dhe vizitorët që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në këtë segment dhe, njëkohësisht, të bëjmë thirrje që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme pa vonesë!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark