
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025. Kjo do të jetë dita kur partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, mund të propozojë kryeparlamentarin për votim.
Lidhur me këtë, Gazeta Insajderi ka pyetur deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Paris Guri, për qëndrimin e partisë në lidhje me votimin e kryeparlamentarit.
Guri tha se këto janë çështje që merren nga grupi parlamentar dhe LDK-ja, dhe se nuk mund të japë një opinion personal në këtë moment.
Ai gjithashtu shtoi se “LDK nuk bën koalicion në asnjë mënyrë me Lëvizjen Vetëvendosje”, duke e quajtur këtë një qëndrim të prerë të partisë.
Kjo vjen pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 mars, sipas të cilave LVV-ja doli fituese me 48 ulëse, pasuar nga PDK-ja me 24 ulëse, LDK-ja me 20 ulëse dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 ulëse.
Më 15 prill do të shihet nëse partia e Kurtit do të mund ta formojë qeverinë e re që në tentativën e parë.
/Insajderi