
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kërkesës së Presidentes Vjosa Osmani për heqjen e taksës prej 10% ndaj mallrave amerikane.
Përmes një shkrimi në Facebook, Murati e ka cilësuar kërkesën si të nxituar dhe ka shtuar se një shtet serioz trajton këto çështje larg mediave, duke informuar publikun vetëm pas marrjes së një vendimi.
Murati ka treguar se kërkesa e Presidentes është dërguar në adresë të Qeverisë më 17:39, ndërsa bëri publike në rrjetin social X vetëm 3 minuta më vonë.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai duke thënë se “secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave”.
Ai u shpreh se politikat fiskale janë përgjegjësi e ekzekutivit, veçanërisht e ministrisë përkatëse të financave.
Ministri në detyre madje përmendi edhe një vizitë në Washington DC në prill të vitit 2023, ku ishte diskutuar për mundësinë e një marrëveshjeje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Qysh në prill të vitit 2023, gjatë vizitës në Washington DC, bashkë me zëvendës kryeministrin Bislimi kemi takuar përfaqësues të Departamentit të Tregtisë, me të cilët kemi diskutuar ndër tjera edhe temën e një marrëveshjeje për tregti të lirë me ShBA-të. Çështja e marrëveshjes për tregti të lirë është përsëritur nga Kryeministri Kurti edhe në takimet që ka zhvilluar me ish ambasadorin amerikan Hovenier“.
Ai ka shtuar se qëllimi i Kosovës është që të ketë tregti të lirë dhe pa barriera tarifore me SHBA-të, duke nënvizuar se ky qëndrim vazhdon të mbetet i njëjtë.
Murati gjithashtu ka përmendur se Kosova është pjesë e shteteve që kanë marrë shkallën tarifore minimale prej 10% dhe se ndikimi financiar i këtij vendimi është i vogël për ekonominë e vendit, duke marrë parasysh vëllimin e ulët të këmbimit tregtar.
“Gjithsesi, si partnerë e aleatë të përhershëm, synimi ynë është që të rritet vëllimi i këmbimit tregtar, dhe e mbështesim plotësisht parimin e Presidentit Trump për tregti të lirë e pa barriera dhe fer“.
Ai ka përfunduar duke njoftuar qytetarët dhe Presidenten Osmani se Qeveria e Kosovës ka qenë duke shqyrtuar këtë temë dhe se do të informojë publikun për çdo vendim të ardhshëm.
“Shfrytëzoj rastin përmes këtij postimi që të njoftoj Presidenten, por edhe qytetarët, që si kabinet qeveritar ne veçse kemi qenë duke e shqyrtuar këtë temë. Dhe kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë“, shkroi ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që është vendosur ndaj mallrave të Shteteve të Bashkuara.
Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Administratës Trump, e cila ka vendosur tarifa prej 10% për të gjitha importet, përfshirë edhe ato nga Kosova.
Në një deklaratë, Osmani tha se ky hap do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për forcimin e marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, duke bërë të qartë angazhimin e Kosovës për një partneritet më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm me aleatin e saj më të rëndësishëm.