Këshilltari i Presidentes i kundërpërgjigjet Hekuran Muratit: Turp, skandaloze, je njeriu i fundit që mund të flasësh për seriozitet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltari i Presidentes i kundërpërgjigjet Hekuran Muratit: Turp, skandaloze, je njeriu i fundit që mund të flasësh për seriozitet

    Insajderi
    03 April 2025 - 22:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilltari i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pas deklaratave të tij për kërkesën e Presidentes për heqjen e taksës 10% ndaj mallrave amerikane, shkruan Insajderi .

    Në një postim në rrjetet sociale, këshilltari ka quajtur Muratin “njeriun e fundit që mund të flasë për seriozitet”, duke shtuar se ai është një person që ende nuk e kupton se udhëheqja e shtetit është një punë e pandërprerë, jo një angazhim që mbaron në orën 16:00.

    Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentimeve të saj, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës,” shkruan këshilltari i Osmanit.

    Sipas tij Murati nuk e kupton rëndësinë strategjike të veprimeve ekonomike dhe politikës së jashtme për marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Këshilltari i Presidentes e konsideron deklaratën e Muratit si “turp” dhe “skandaloze”, duke theksuar se ajo tregon mungesë të respektit bazik institucional dhe të njohurive për mënyrën e udhëheqjes së shtetit.

    “E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës është deklarata e tij e sotme”.

    Ai e cilësoi deklarimi ne Murartit si “fëmijërore”.

    “Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor, e leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, shkroi ai.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Murati e ka cilësuar kërkesën si të nxituar dhe ka shtuar se një shtet serioz trajton këto çështje larg mediave, duke informuar publikun vetëm pas marrjes së një vendimi.

    Murati ka treguar se kërkesa e Presidentes është dërguar në adresë të Qeverisë më 17:39, ndërsa bëri publike në rrjetin social X vetëm 3 minuta më vonë.

    Ai ka përfunduar duke njoftuar qytetarët dhe Presidenten Osmani se Qeveria e Kosovës ka qenë duke shqyrtuar këtë temë dhe se do të informojë publikun për çdo vendim të ardhshëm.

    “Shfrytëzoj rastin përmes këtij postimi që të njoftoj Presidenten, por edhe qytetarët, që si kabinet qeveritar ne veçse kemi qenë duke e shqyrtuar këtë temë. Dhe kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë“, shkroi ai.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që është vendosur ndaj mallrave të Shteteve të Bashkuara.

    Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Administratës Trump, e cila ka vendosur tarifa prej 10% për të gjitha importet, përfshirë edhe ato nga Kosova.

    Në një deklaratë, Osmani tha se ky hap do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për forcimin e marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, duke bërë të qartë angazhimin e Kosovës për një partneritet më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm me aleatin e saj më të rëndësishëm.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark