Dy vrasjet që tronditën vendin, 4 të dyshuar në arrati, tre prej tyre ende të pa identifikuar – A po dështon shteti të na mbrojë? - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Dy vrasjet që tronditën vendin, 4 të dyshuar në arrati, tre prej tyre ende të pa identifikuar – A po dështon shteti të na mbrojë?

    Insajderi
    04 April 2025 - 12:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Donjeta Islami

    Në javët e fundit, Kosova është tronditur nga dy vrasje që kanë ndodhur në hapësira publike, duke lënë pas një pasiguri të madhe. Një 62-vjeçar humbi jetën në një nga lagjet e njohura të Prishtinës, ndërsa një rreshter i policisë, Muhamed Lika, u ekzekutua në Kaçanik, duke u kthyer nga puna në shtëpinë e tij. Dy krime të rënda, të realizuara në kushte dhe rrethana të ndryshme, por që kanë një gjë të përbashkët: autorët janë ende të arratisur dhe autoritetet ende nuk kanë arritur të bëjnë asnjë arrestim.

    Ky fakt ka ngritur shumë pyetje për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe rendit në Kosovë. A po dështon shteti në përballimin e krimeve të tilla të rënda?

    Vrasja e Naser Gashit në Prishtinë, Alban Gashi qe 10 ditë në arrati

    Në një ngjarje tragjike që ndodhi në Prishtinë, Naser Gashi, një 62-vjeçar, u vra në një lokal në rrugën “Bajram Kelmendi”.

    Përveç tij, Miftar Miftari, u plagos gjatë incidentit.

    Dyshohet se krimi ka pasur lidhje me një mosmarrëveshje të pazgjidhur mes Alban Gashit, i dyshuari kryesor, dhe Miftar Miftarit, konflikt që daton nga periudha kur ata qëndruan në Spanjë.

    Të dy dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur kur kryen vrasjen.

    Disa ditë përpara ngjarjes, ata ishin kthyer në Kosovë.

    Megjithatë, as Alban Gashi dhe as shoqëruesi i tij nuk janë arrestuar ende, dhe ata janë të shpallur në kërkim.

    Gashi madje përmes avokatit të tij ka përcjellur një letër në Policinë e Kosovës, duke dhënë një variant tjetër të rastit. Ka mohuar se ai e ka vrarë, Naser Gashit thotë se këtë e bëri Miftar Miftari.

    Policia ka lexuar letrën, por nuk ka asnjë veprim konkret, asnjë i arrestuar.

    Vrasja e rreshteri Muhamed Lika

    Pak ditë pas ngjarjes në Prishtinë, një tjetër tragjedi ndodhi në Kaçanik. Kësaj radhe edhe më i rëndë.

    Rreshteri i policisë, Muhamed Lika, u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij, rreth orës 23:00.

    Dy të dyshuarit për vrasjen e tij, të cilët u futën në ambientet e banesës së viktimës, janë ende të arratisur.

    Sipas autoriteteve, motivet e krimit ende nuk janë të qarta.

    Reagimi i zbehtë i Sveçlës

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar vetëm për vrasjen e rreshterit Lika.

    Ai ka kërkuar që autorët të dorëzohen dhe duke thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me Policinë.

    Por, kjo përgjigje e vonuar dhe e kufizuar ngre shumë dyshime. Përse nuk ka pasur reagim po të njëjtë edhe për vrasjen e 62-vjeçarit, ku dy të dyshuarit janë ende të arratisur dhe ende nuk ka asnjë arrestim? Çfarë po ndodh me hetimet? Pse pas disa ditësh nuk ka asnjë të arrestuar dhe asnjë informacion të qartë rreth zhvillimeve të hetimeve për krimet e tilla të rënda?

    “Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, meqë i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje”, shkruante Sveçla me datë 2 prill.

    Këto dy vrasje tragjike që tronditën vendin janë një pasqyrë e trishtuar e dobësive që po shfaqin institucionet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë, dhe pyetja kryesore është; A po dështon shteti të na mbrojë?

    Lexo edhe:

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark