
Kompania Rajonale e Ujësjellësit tashmë është bërë subjekt i hetimit të Prokurorisë Speciale lidhur me tenderët e dyshimtë, që kanë marrë aprovimin e kryeshefit ekzekutiv, Hasan Krasniqi, i cili gjendet në paraburgim si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mirëpo, skandalet s’ndalen me kaq. Në këtë kompani u punësuan edhe njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
Insajderi merr vesh nga burime të saja se në ‘KRU Gjakova‘ po hetohen edhe disa punësime të njerëzve të afërt me partinë në pushtet.
Gazeta ka kontaktuar me Prokurorinë Speciale për ta konfirmuar një informacion të tillë dhe për ta pyetur nëse ka intervistuar dikë deri më tani, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Dy nga disa prej punësimeve që po hetohen aty janë punësimi i Hysen Berishës, ish-kandidat për asamblist në Lëvizjen Vetëvendosje në Gjakovë si Monter në ndërmarrje dhe Blendi Gashit, person i afërt me VV’në si Zyrtar Ligjor.
Në dokumentin që ka siguruar Gazeta Insajderi, më datën 17.03.2025 ‘KRU Gjakova’ ka vendosur që ta përzgjedhë Berishën si monter, duke qenë më i vlerësuari në mesin e kandidatëve në konkursin ku kërkoheshin dy monterë.
Hysen Berisha ka qenë kandidat për asamble të Komunës së Gjakovës në zgjedhjet lokale të 2021-ës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo me të cilën garonte Mimoza Kusari për kryetare të komunës në fjalë.
Ai është parë i afërt me Kusari-Lilën, ku në profilin e tij ka mbështetur edhe kampanjat zgjedhore të saj përgjatë fushatës zgjedhore të 2021-ës në zgjedhjet lokale.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë Berishën për ta pyetur nëse është intervistuar nga Prokuroria lidhur me punësimin e tij dhe nëse ka pasur ndikim partia në pushtet, mirëpo i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Blendi Gashi është punësuar në këtë ndërmarrje vitin e kaluar si zyrtar ligjor. Këtë e dëshmon edhe dokumenti që ka arritur të sigurojë Insajderi, duke marrë 88,66 për qind të pikëve nga të gjitha fazat e rekrutimit.
Gashi është parë i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai madje ka publikuar në të kaluarën fotografi me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshincën, duke e quajtur “dost”.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë Gashin për ta pyetur lidhur me këtë punësim, por as ai nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.
Dallaveret e Hasan Krasniqit me tenderë
Hasan Krasniqi është larguar përkohësisht nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Gjakova, pas arrestimit lidhur me dallevere për një tender të kësaj ndërmarrje publike.
Vendimi është marrë më 22 mars nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje pas një mbledhje të jashtëzakonshme, ku citohet edhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Bordi Drejtorëve i KRU” Gjakova”‘Sh.A.-Gjakovë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me date 22.03.2025, shqyrtoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special, lidhur me çështjen e Kryeshefit Ekzekutiv z.Hasan Krasniqi. Në bazë të këtij Aktvendimi dhe konform nenit 73, paragrafi 1 pika 1.2 të Ligjit të Punës të Republikës sẽ Kosovës, u vendos largimi i përkohshëm nga puna i z. Hasan Krasniqi, për shkak të caktimit të masës së paraburgimit nga Organet kompetente të drejtësisë të Republikën së Kosovës”, thuhet në arsyetim.
Krasniqi dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”, me dashje dhe dijeni kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore të parapara për këtë pozitë dhe rregullat e zbatueshme të prokurimit publik, në atë mënyrë që lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me barkë” kishte ndërmarrë veprimet e kundërligjshme.
Aty thuhet se më 5 korrik 2024, me sugjerimin dhe kërkesën e tij, të adresuar nga Visar Hasi- drejtor teknik në KRU “Gjakova”, ishte parashtruar kërkesa për inicimin e procedurës prokurimit, duke vendosur kritere teknike të cilat ishin qartazi favorizuese për OE (Operatorin Ekonomik) fitues “Lind Fix” ShPK, duke përjashtuar kështu të gjithë konkurentet e tjerë. Të dhënat specifike të barkës, thuhet se i dyshuari Krasniqi i siguroi nga pronari i barkës Arlind Hasimja, me të cilin janë në marrëdhënie miqësie.
Gjithnjë sipas kërkesës, kriteret favorizuese për OE fitues dhe përjashtuese për OE konkurrues, ishin bartur në dosjen e tenderit për këtë aktivitet të prokurimit dhe me krijimin e Komisionit për vlerësimin e ofertave i kishte vendosur anëtarët e saj në një çështje të kryer, pasi që dihej fituesi.
LEXO EDHE:
Sipas Prokurorisë, OE fitues “Lind FIX” shpk, ishte shpallur fitues i tenderit me çmimin 24 mijë e 500 euro. Kurse, kontrata për furnizimin me barkë u nënshkrua më 16 gusht 2024.
Pasi ishin caktuar menaxheri i kontratës dhe mbikëqyrësi i drejtpëdrejtë i menaxherit të kontratës, Prokuroria thekson se ishte formuar Komisioni për pranimin teknik për pranim të barkës për tenderin në fjalë. Më pastaj, Komisioni kishte bërë pranimin e barkës.
Kjo thuhet se u bë duke u shkrepur katër fotografi të saj në oborrin e KRU “Gjakova”, duke mos kërkuar e as verifikuar dokumentacionin përcjellës të barkës, përfshirë kontratën e shitblerjes, faturën e blerjes, kartelën e bankës si dhe dokumentacionin doganor për kryerjen e procedurave doganore për mallin. Pas kësaj, thuhet se u përpilua edhe raporti për pranimin e barkës.
Sipas Prokurorisë, më 9 shtator 2024, pas verifikimi të dokumentacionit dhe procedurave, si dhe miratimit nga drejtori teknik Visar Hasi dhe kryeshefi ekzekutiv Hasan Krasniqi, u ekzekutua pagesa në shumën 24 mijë e 500 euro për “Lind Fix” ShPK.
Me këto veprime, Krasniqi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.
Po ashtu, i pandehuri Hasan Krasniqi, si kryeshef ekzekutiv i KRU “Gjakova”, dyshohet se ka falsifikuar dy kontrata të qiramarrjes së barkës. Ai thuhet se kishte nënshkruar në emër të Eranda Canhasi Gashit, e cila nuk i kishte firmosur ato, ndërsa mjetet kishin kaluar në llogarinë e “Lind Fix” ShPK, në emër të Arlind Hasimes.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas nenit 427, par. 1 të Kodit Penal.
Aty thuhet se gjatë kontrollit të kryer më 18 mars 2025, u sekuestruan dëshmi që ndërlidhen me veprën penale: para të gatshme 22 mijë e 205 euro pa dëshmi mbi prejardhjen e tyre, një telefon, një laptop, dy kontrata të marrëveshjes dhe një barkë.
Insajderi kishte raportuar edhe për një kallëzim penal të ngritur nga kompania e dëmtuar “Ilir Noshi B.I”.
Në kallëzimin penal që kishte siguruar Gazeta Insajderi, kryeshefi Hasan Krasniqi, dyshohej për veprat penale: Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës -Cënimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike- Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, ka keqpërdorur pozitën për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në procedurat e prokurimit publik, duke shkaktuar dëm financiar dhe konkurrencë të pabarabartë ndaj kompanisë sonë”, përshkruhet në Kallëzimin penal.
Sipas shkresës, veprimet e kryeshefit Hasan Krasniqi përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procedurat e prokurimit publik, duke ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë dhe duke cenuar parimet e konkurrencës së lirë, transparencës dhe barazisë në tenderim.
“Si rezultat i këtij veprimi, neve na është pamundësuar pjesëmarrja në tender, një e drejtë e garantuar me Ligjin e Prokurimit Publik, duke na privuar nga mundësia për të konkurruar në kushte të barabarta. Kjo shkelje ka pasur pasoja të drejtpërdrejta në aktivitetin tonë ekonomik, duke na shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar për shkak të fitimit të mundshëm të humbur. Për më tepër, duke marrë parasysh faktin se për vite me radhë kemi pasur kontratën e njëjtë me autoritetin KRU “Gjakova”, ky veprim ka prishur vazhdimësinë dhe stabilitetin e angazhimit tonë në ofrimin e shërbimeve të kontraktuara”, ka thënë kompania e dëmtuar në kallëzimin penal.
Ndaj Krasniqit është caktuar masa e paraburgimit më 20 mars.
Krasniqit iu kanë sekuestruar 22 mijë euro kesh në shtëpinë e tij, origjina e të cilave nuk është bërë e ditur ende. /Insajderi.org/