
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, njëherësh edhe deputet i zgjedhur i nomenklaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, ka goditur partnerin e tij në koalicionin parazgjedhor të zgjedhjeve parlamentare, Fatmir Limajn nga Nisma Socialdemokrate.
Haradinaj pas certifikimit të deputetëve të AAK-Nisma, ka thënë se s’ka zhvilluar asnjë bisedë me Limajn që prej kohës kur ky i fundit u shpreh në intervistë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Insajderi.
“S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e z. Limaj. Ka qenë shumë e vështirë krijimi i shumicës nga opozita, vetëvetiu, pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Ka qenë i parakohshëm. Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne, por është një ndarje mjaft e turpshme. Për shkak se, kemi kërkuar votë për ndryshim. Sjellja e tyre, veprimi i tyre është mjaft i turpshëm”, ka thënë Haradinaj para mediave.
Ai ka thënë se në parim, nuk do ta bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, siç tha Haradinaj, nëse partitë opozitare e bëjnë një gjë të tillë, AAK nuk do të veprojë ndaras.
Kreu i AAK’së u shpreh i zhgënjyer me Limajn, pasi tha që bashkë me të në kohë zgjedhjesh në mbarë Kosovën kërkuan votë për ndryshim.
“Ju tregova se është një ndarje e turpshme, për shkak se kemi shku në të gjithë vendin, kemi kërku votë për ndryshim dhe me u sjellë në mënyrë të këtillë, besoni, nuk është në rregull”, tha tutje i pari i AAK’së.
Njerëz që bashkëqeverisën me Kurtin u shprehën pesimistë lidhur me votimin e Qeverisë së re në seancën konstituive të nesërme. Nenad Rashiq, ministër në detyrë për Kthim dhe Komunitete, deklaroi se nuk është optimist për formimin e një qeverie të re nesër.
“Nuk jam optimist që nesër do të votojmë për Qeverinë”, tha Rashiq. /Insajderi.org/