
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar të lëshojë karrigen e pushtetit ani pse dha dorëheqje përmes një letre që ka dërguar Kuvendin e Kosovës përgjatë ditës së djeshme.
Kurti ndër të tjer ka tentuar të interpretojë Ligjin për Qeverinë në mbledhjen e Qeverisë të së mërkurës, shkruan Insajderi.
“Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua sepse partitë opozitare, PDK LDK Lista Serbe dhe AAK nuk votuan për verifikimin e mandateve. Në thelb, ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër. Qeveria jonë është në detyrë dhe efektivisht e dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur edhe e kemi përmbushur mandatin e plotë katër vjeçar. Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takon. Kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se të bëhet më shumë se kaq drejt dorëheqjes, do të ishte braktisje institucionale.
“Krahas përmbushjes mandatit tëp lotë qeverisës e deri në formimin e Qeverisë së re, unë në emër të kabinetit qeveritar dje i jam drejtuar Kuvendit me një letër përmes së cilës e kam njoftuar për statusin e Qeverisë sonë dhe për dorëheqjen time, veçse efektiv nga 23 marsi. Më shumë se kaq, nuk është e mundur të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq, do të ishte braktisje institucionesh, do të ishte vakum institucional dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim i pamatur për të lënë shtëpinë pa Zot shtëpie”, ka thënë ndër të tjera ai.
“Ligji për Qeveri e bën të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj (Neni 30), ndonëse të kufizuara (neni 31) deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Mbledhja sot dhe ushtrimi i kompetencave të tjera qeveritare janë plotësisht të lejueshme, madje të detyrueshme sipas ligjit. Ne kemi funksione, por assesi nuk duhet të ketë ndalesë funksionimi”.
“Kemi nga kaluara shembullin e ish-kryeministrit Thaçi që ndonëse kishte dhënë betimin e deputetit në korrik të vitit 2014, kishte vazhduar të jetë kryeministër në detyrë deri në dhjetor të atij viti. Kemi shembullin e ish-kryeministrit Haradinaj, i cili dha dorëheqje në korrik të vitit 2019, vetëm për të vazhduar tutje si kryeministër në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë Kurti I në shkurt të vitit 2020. Gjithashtu kemi shembullin e kryeministrit Hoti, i cili mbeti në detyrë deri në formimin e Qeverisë Kurti II, në mars të vitit 2021, përkundër faktit që qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020”, ka thënë Kurti.
“Në historikun tonë të formimit institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK, ndonëse me kuvend të shpërndarë, një qeveri e udhëhequr nga AAK, ndonëse e dorëhequr, dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK, ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme, kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re”.
“Por, një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse ka mbushur mandatin e saj të plotë katër vjeçar, na u deshka të largohet nga zyrat e saj një orë më parë. Si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, jemi shumë të interesuar të ecim përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë sa më parë”, shton tutje Kurti.
Krejt në fund, ai ka sulmuar opozitën dhe mediat.
“I siguroj qytetarëve dhe përtej zhurmës opozitare dhe disa mediave të ish-regjimit të oligarkëve që madje kanë shkuar aq larg saqë kanë regjistruar biznesin në Serbi, Republika e Kosovës, atdheu ynë po ecën përpara”. /Insajderi.org/