
Kompania Rajonale e Ujësjellësit Gjakova ka dhënë një tender në vlerë prej mbi 216 mijë euro për mirëmbajtjen e automjeteve të saj. Fitues është shpallur kompania “Gazmend Bojku B.I”, megjithëse në garë kishte kompani me oferta shumë më të ulëta. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Kompania Rajonale e Ujësjellësit Gjakova, sot, me datë 18 prill, ka nënshkruar kontratë për ‘mirëmbajtjen e servisimit të automjeteve për kompaninë KRU Gjakova’.
Për këtë tender kishin konkurruar tri kompani ofertuese.
“Gazmend Bojku B.I, Beteja e Koshares. -3000-, Pejë”, është kompania e cila është shpërblyer me tender nga KRU Gjakova.
Vlera e përgjithshme e tenderit që është shpërblyer Gazmend Bojku B.I është 216, 055,01 euro.
Megjithatë, në garë për këtë tender ishin edhe kompanitë: Fatmir Rudi B.I, me ofertë 145,083 euro. Dhe Ilir Noshi me ofertë 75,785, euro.
Por që fituese është përzgjedhur kompania e cila kishte ofertën 140,270 euro, më e lartë se oferta e operatorit tjetër ekonomik, Ilir Noshi.
Kontrata është nënshkruar nga Ushtruesi i Detyrës, Gani Veseli.
Ndërkohë, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Gjakova, Hasan Krasniqi është larguar përkohësisht nga kjo pozitë, pas arrestimit lidhur me dallevere për një tender të kësaj ndërmarrje publike.
Vendimi është marrë më 22 mars nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje pas një mbledhje të jashtëzakonshme, ku citohet edhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Bordi Drejtorëve i KRU” Gjakova”‘Sh.A.-Gjakovë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me date 22.03.2025, shqyrtoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore Prishtinë – Departamenti Special, lidhur me çështjen e Kryeshefit Ekzekutiv z.Hasan Krasniqi. Në bazë të këtij Aktvendimi dhe konform nenit 73, paragrafi 1 pika 1.2 të Ligjit të Punës të Republikës sẽ Kosovës, u vendos largimi i përkohshëm nga puna i z. Hasan Krasniqi, për shkak të caktimit të masës së paraburgimit nga Organet kompetente të drejtësisë të Republikën së Kosovës”, thuhet në arsyetim.
Krasniqi dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”, me dashje dhe dijeni kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore të parapara për këtë pozitë dhe rregullat e zbatueshme të prokurimit publik, në atë mënyrë që lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me barkë” kishte ndërmarrë veprimet e kundërligjshme.
Aty thuhet se më 5 korrik 2024, me sugjerimin dhe kërkesën e tij, të adresuar nga Visar Hasi- drejtor teknik në KRU “Gjakova”, ishte parashtruar kërkesa për inicimin e procedurës prokurimit, duke vendosur kritere teknike të cilat ishin qartazi favorizuese për OE (Operatorin Ekonomik) fitues “Lind Fix” ShPK, duke përjashtuar kështu të gjithë konkurentet e tjerë. Të dhënat specifike të barkës, thuhet se i dyshuari Krasniqi i siguroi nga pronari i barkës Arlind Hasimja, me të cilin janë në marrëdhënie miqësie.
Gjithnjë sipas kërkesës, kriteret favorizuese për OE fitues dhe përjashtuese për OE konkurrues, ishin bartur në dosjen e tenderit për këtë aktivitet të prokurimit dhe me krijimin e Komisionit për vlerësimin e ofertave i kishte vendosur anëtarët e saj në një çështje të kryer, pasi që dihej fituesi.
LEXO EDHE:
Krasniqit iu kanë sekuestruar 22 mijë euro kesh në shtëpinë e tij, origjina e të cilave nuk është bërë e ditur ende. /Insajderi.org/