
Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se pas zhbllokimit të situatës në Kuvendin e Kosovës, opozita duhet të votojë kandidaten e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, pasi kjo është e drejtë kushtetuese e grupit më të madh parlamentar.
Ai nënvizoi se hapi i radhës duhet të jetë votimi i Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, duke iu referuar Kushtetutës që sipas tij e përcakton qartë këtë të drejtë për LVV-në.
“Pas kësaj, duhet një pajtim i shkruar nga të gjitha partitë politike për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve. Kjo është rruga e duhur kushtetuese”, ka shkruar Sallahu.
Megjithatë, edhe pse seanca për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit u mbajt sot dy herë, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e Albulena Haxhiut në këtë pozitë.