Si funksiononte grupi me ekstremistë në Kaçanik që dyshohet për vrasjen e rreshterit Lika? Insajderi sjell detaje nga Dosja - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Si funksiononte grupi me ekstremistë në Kaçanik që dyshohet për vrasjen e rreshterit Lika? Insajderi sjell detaje nga Dosja

    Insajderi
    22 April 2025 - 10:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tri javë pas vrasjes së rreshterit nga Kaçaniku, Muhamet Lika institucionet e drejtësisë përmes një aksioni të realizuar në orët e hershme të së hënës kanë arrestuar shtatë persona si të dyshuar për përfshirje në vrasje. I dyshuari kryesor që besohet të ketë kryer aktin është Rejhan Bela, i cili ishte ende i mitur. Gazeta Insajderi sjell dosjen e plotë në të cilën përshkruhen detajet se si u organizua vrasja e cila u krye për 47 sekonda.

    Mira Avdimetaj

    Policia e Kosovës mëngjesin e djeshëm ka kryer një operacion të madh policor në Kaçanik, që ndërlidhej me vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika.

    Rejhan Bela i cili dyshohet se kreu vrasjen e rreshterit policor, Muhamet Lika është dërguar në paraburgim për 1 muaj pas vendimit të Gjykatës. Ndërsa të arrestuarit e tjerë pritet të dalin sot para gjykatës.

    Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e plotë në të cilën shpjegohet në detaje si ka funksionuar grupi ekstremist në Kaçanik natën kur ndodhu vrasja me 1 Prill.

    Vrasja u krye për 47 sekonda- Detaje nga dosja

    Sipas dosjes, me datë 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, përkatësisht në katin e II-të, të hyrjes së ndërtesës, i mituri në bashkëkryerje me madhorët Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta, rreshterin Muhamet Lika, përshkruhet në dosje.

    “Viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimësi nga madhorët deri te hamja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri Rejhan Bela i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, e pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur”, thuhet në dosje.

    Sipas dosjes, nga momenti kur i dyshuari ka hyrë në objektin e banesës dhe deri në momentin kur ka dal, sipas pamjeve të kamerave janë regjistruar 47 sekonda.

    “nga momenti i hyrjes së të miturit Rejhan në objekt deri në daljen janë 47 sekonda, pastaj rreth orës 22:58, nga kamerat e sigurisë, vërehet duke u kthyer me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes
    së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit “”Dukagjini”, përshkruhet në dosje.

    “Bravo ik” Incizimi që dëshmon komunikimin e të dyshuarve pas vrasjes

    Pas sigurimit të provave, në dosje figuron edhe një bisedë mes të dyshuarve për vrasjen e policit, Muhamet Lika.

    Sipas dosjes, i dyshuari kryesor për vrasje, Rejhan Bela pasi ka privuar nga jeta policin është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka takuar Rilind Muratin i cili dëgjohet duke i thënë “Bravo Ik”

    “pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri Rejhan Bela së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë”, thuhet në dosje./Gazeta Insajderi/

    Motivet e vrasjes- Polici Muhamed Lika po hetonte një grup me prirje ekstremiste

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë të hënën se disa nga të arrestuarit në Kaçanik, kanë qenë më herët të arrestuar në lidhje me rastin ku ishte djegur Gjykata në Kaçanik, në mars të vitit 2024.

    “Rreshteri jonë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe mandej ka punuar në mbështetje të hetimeve të Policisë, me qëllim të ndriqimit të rasteve të mëhershme. Këta janë persona të dyshuar, disa prej të cilëve kanë qenë të arrestuar te rastet e pamfleteve dhe po ashtu me djegien e Gjykatës në Kaçanik” – tha Hoxha para gazetarëve.

    “Ne kemi arritur që të sigurojmë prova, dëshmi të cilat e lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë. Disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale, kanë qenë edhe për raste të mëhershme, kanë qenë të ndërlidhur me prirje ekstremiste. Janë persona të dyshimtë, të rrezikshëm të cilët ne dyshojmë se kanë kryer këtë vrasje dhe kanë planifikuar dhe kanë ekzekutuar”, tha ai./Gazeta Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark