Jeta luksoze e Martin Berishajt në Zagreb- Shteti i paguan 2 mijë euro qira në muaj dhe mijëra euro në vit për darka e telefon - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Jeta luksoze e Martin Berishajt në Zagreb- Shteti i paguan 2 mijë euro qira në muaj dhe mijëra euro në vit për darka e telefon

    Insajderi
    23 April 2025 - 20:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekseri më i madh i energjisë elektrike, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po bën jetë luksoze në Zagreb. Berishaj, banon në një rezidencë që buxhetit të shtetit i kushton 24 mijë euro në vit, apo rreth 2 mijë euro në muaj. Dyfish më shumë se shuma e qirave të apartamenteve luksoze atje. Shpenzime të larta pati edhe në telefonin mobile. Insajderi sjell detajet.

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, banon në një rezidencë që buxhetit të shtetit i kushton 24 mijë euro në vit, apo rreth 2 mijë euro në muaj.

    Bazuar në të dhënat nga MPJD që Insajderi ka siguruar përmes kërkesës në qasje për dokumente zyrtare për Ambasadorin Martin Berishaj, totali i shpenzimeve për vitin 2024 arrin vlerën 31 mijë e 172 euro e 2 cent.

    Sipas tabelës së shpenzimeve, pagesa më e lartë ka shkuar për të paguar qiranë vjetore të banesës në Zageb, në shumën prej 24 mijë euro, ose 2 mijë euro për muaj.

    Qiraja e njëjtë i është paguar që nga koha kur Martin Berishaj është emëruara si ambasador në këtë shtet.

    Shuma prej 2 mijë euro për qira mujore rezulton të jetë shumë më e lartë se mesatarja në këtë qytet.

    Të dhënat e Byrosë Shtetërore të Statistikave tregojnë se Qiratë e apartamenteve në Zagreb sillen mes 400 euro më e lira e deri në 900-1200 euro më e shtrenjta.

    Berishaj rrit shumën e shpenzimeve nga buxheti i shtetit për telefon

    Ndërsa shpenzimet e tjera si telefonia mobile, shpenzimet shëndetësore e Drekat zyrtare kanë ndryshuar ndër vite. Në vitin 2024 disa nga këto shpenzime janë rritur.

    Për shembull për telefoni moblie për vitin 2024, ambasadori Martin Berishaj ka shpenzuar 1 mijë e 444 euro e 90 cent. Ndërsa dy vitet paraprake kishte shpenzuar gati dyfish më pak. Në vitin 2021: 607.57 ndërsa në vitin 2022: 581.25.

    Shpenzimet për Darka zyrtare kapin vlerën 2 mijë e 110 euro e 60cent për vitin 2024. Ndërsa për shëndetit, sipas raportit thuhet se Berishaj ka shpenzuar 2 mijë e 478 euro për vitin 2024.

    Ndërsa për vitin 2023, totali i shpenzimeve është 31,363.89 euro dhe vitin 2022, totali i shpenzimeve është 28.010.16 euro.

    Ambasadori Martin Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur iu publikua skandali i madh financiar me kompaninë GEN. Berishaj u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro tek një kompani private në Mal të Zi. Sipas mediumit slloven, “PlanetTV” kompania private është në pronësi të tij.

    Martin Berishaj, diplomati i vetëm që ka fotografi nëpër banesa private me kryeministrin Albin Kurti, vazhdon të qëndrojë në pozitën e ambasadorit në Kroaci pavarësisht skandalit të madh financiar me kompaninë GEN.

    Raportimet e Gazetës Insajderi për skandalin me GEN

    Gazeta Insajderi kishte raportuar për transaksionet bankare të firmës së dyshimtë të Martin Berishajt, dhe kishte zbuluar se saktësisht 1 milion e 470 mijë e 707 euro ishin transferuar në llogarinë e MB Consulting nga kompania energjetike GEN.

    Kompania e Berishajt paratë e para nga GEN-i, dega në Serbi, i kishtemarrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.

    Kjo shifër i bashkohet asaj prej 395 mijë e 805 eurove të marrë nga biznesi i Berishajt vetëm përgjatë vitit 2015.

    Më 2016 të hyrat e Berishajt nga GEN dukeshin se kanë rënë pak, ku gjatë atij viti ai kishte arkëtuar 262 mijë e 302 euro.

    Një vit më vonë, më 2017 nuk ekziston asnjë transaksion i bërë nga GEN drejt llogarisë së MB Consulting, gjersa më 2018, 2019 dhe 2020, të hyrat kanë qenë më të ulëta ndër vite, përkatësisht 55 mijë e 440 euro, 67 mijë e 879 euro dhe 95 mijë e 947 euro.

    Të hyrat e Berishajt arrin kulmin në vitin 2021. GEN gjatë atij viti kishte transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro.

    Një vit më vonë më 2022, u transferuan edhe 119 mijë e 445 euro të tjera.  

    862 mijë e 264 euro kishte tërhequr Martin Berishaj nga xhirollogaria e kompanisë së tij, MB Consulting. Tërheqja e parave kesh pa përshkruara arsyetim zyrtar është e pazakontë në afarizëm.

    Sipas dokumenteve që posedonte Gazeta Insajderi, ai këto para i ka nxjerr përgjatë viteve 2015-2022, siç shkruan për “nevojë të biznesit”. Nuk kishte dhënë përshkrim më të detajuar se sa ky shënim sipërfaqësor.

    LEXO EDHE:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark