×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Hulumtimi i Insajderit demanton Martin Berishajn – si gënjeu ambasadori në komisionin parlamentar?

    Insajderi
    11 January 2023 - 15:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kishte dhënë dy deklarata të pavërteta para Komisionit Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës në nëntorin e vitit të kaluar, derisa ishte nën betim – vepër kjo e dënueshme deri në 3 vjet, sipas Kodit Penal të Kosovës.

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte ftuar në nëntor të vitit të kaluar në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës.

    Aty ai kishte folur edhe për skandalin e shpëlarjes së parave në të cilin ishte përfshirë, fakt ky për të cilin fillimisht kishin raportuar mediat sllovene, shkruan Gazeta Insajderi.

    Diplomati që përfaqëson Kosovën në Kroaci, e kishte pranuar para Komisionit se ka punuar si këshilltar në kompaninë serbe GEN, e cila merret me tregtimin e energjisë.

    Megjithatë, ai pati thënë se prej kur është bërë ambasador në vitin 2020, nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale me atë kompani.

    “Unë GEN-in e njoh natyrisht, është një firmë e cila i ka 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shitblerjes së energjisë, është plotësisht qind për qind në pronë sllovene, kam qenë aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se çka do të duhej të bëjë një firmë e madhe, GEN është e regjistruar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë në vitin 2009, e ka licencën nga viti 2009 dhe bën shitblerje. Nga viti 2019, 2020 unë nuk jam më me ta, pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”, pati thënë Berishaj para deputetëve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, ndonëse ai këtë deklaratë e ka bërë para deputetëve të Komisionit nën betim, duket se nuk e ka thënë të vërtetën.

    Si pikë e parë, ai ambasador nuk është emëruar në vitin 2020, por në shkurt të vitit 2021, dhe e dyta kompania GEN ka derdhur para në xhirollogarinë e MB Consulting, biznesin e Berishajt edhe përgjatë kohës sa ai thotë se “unë nuk jam më me ta”, në vitin 2021 dhe 2022, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kompania e diplomatit Berishaj paratë e para nga GEN-i me degë në Serbi i ka marrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.

    Kështu ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Insajderi nga transaksionet bankare që ka siguruar, dhe ka zbuluar se hyrat e Berishajt nga GEN kanë arritur kulmin pikërisht në vitin 2021, kur ai deklaron nën betim se “pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”.

    Në xhirollogarinë e biznesit të ambasadorit atë vit ishin transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro. Derisa një vit më vonë janë transferuar edhe 119 mijë e 445 euro të tjera, zbulon Gazeta Insajderi.

    Ndryshe, deklarimi i rremë nën betim dënohet sipas Kodit Penal të Kosovës.

    “Kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në Nenit 383, transmeton Gazeta Insajderi.

    2015-2022, kaq para tërhoqi kesh Martin Berishaj nga xhirollogaria e MB Consulting

    862 mijë e 264 euro ka tërhequr Martin Berishaj nga xhirollogaria e kompanisë së tij, MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, zbulon Gazeta Insajderi. Tërheqja e parave kesh pa përshkruara arsyetim zyrtar është e pazakonte në afarizëm.

    Sipas dokumenteve që posedon Gazeta Insajderi, ai këto para i ka nxjerr përgjatë viteve 2015-2022, siç shkruan për “nevojë të biznesit”. Nuk ka përshkrim më të detajuar se sa ky shënim sipërfaqësor.

    Për çështjen e fundit ai më 2015 ka marrë 280 mijë euro, më 2016 edhe 234 mijë e 200 euro të tjera, derisa më 2017 nuk figuron asnjë tërheqje.

    Tërheqjen ai e vazhdon në vitin 2018 dhe 2019, duke marrë 43 mijë euro përkatësisht 36 mijë euro.

    244 mijë euro e 528 euro ai i ka marrë për “nevoja të biznesit” me 2021, derisa më 2022 i ka marrë edhe 60 mijë euro të tjera, zbulon Gazeta Insajderi.

    Në vitin 2018, Martin Berishaj do të bëhej edhe zyrtarisht anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti.

    Në shkurt të vitit 2021, ai ishte emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci, pozitë kjo në të cilën vazhdon të jetë pavarësisht skandalit financiar.

    Ai madje pati thënë se qëllimi i raportimit në mediat sllovene që ai “mori 600 mijë euro nga kompania GEN”, ka qenë e lidhur me zgjedhjet në Slloveni.

    Në nëntor të vitit të kaluar, këto raportime i pati quajtur “shpifje”.

    “Tani këtu quhet aferë, mirëpo shumë media ndërkombëtare ka qenë një artikull i një portali që e ka peshën e vet. Unë jam marrë me problemin që ishte një ditë para zgjedhjeve në Sllovenisë”, pati deklaruar tutje Berisha gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës.

    Berishaj ka thënë se autori i tekstit e ka pasur mbiemrin Petrokoviq, duke hedhur dyshime në qëllimin e atij raportimi.

    “Liria e shprehjes nuk nënkupton shpifjen”, thotë Berishaj. Ai më pas tha se “pas zgjedhjeve në Slloveni askush nuk është marrë me të”.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark