
Ish-ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Avni Arifi, ka ndarë përvojën e keqe teksa ka përshkuar rrugën Prishtinë-Podujevë.
Arifi ka rikujtuar zotimin e ish-kreut të Qeverisë, Albin Kurtit, në mandatin e tij të dytë ku zotohej se kjo rrugë do të merrte fund më 2022-ën, shkruan Insajderi.
“Në vitin 2022 nuk ndodhi asgjë, por më 1 qershor 2023, papritur filluan punimet masive në rrugë. Banorët përreth, por edhe shumë bashkatdhetarë, hoqën të zitë e ullirit atë vit nga pluhuri dhe zhurma, por të gjithë ishin të kënaqur duke thënë: “Albini po punon.” Ky edhe ishte qëllimi sepse në këtë rrugë përnjëmend vijnë shumë bashkatdhetarë dhe marrë parasysh përkrahjen që kishte marrë nga diaspora Kurti kishte nevoj për një mashtrim të tillë.
E vërteta është se gjatë atyre tre muajve (1 qershor – 1 shtator) u punua shumë dhe përnjëmend diku diku edhe natën punohej, sa që me atë ritëm punimet do të kishin përfunduar shumë më herët sesa ishte planifikuar, pra më 3 qershor 2024. Fatkeqësisht, menjëherë pas largimit të diasporës, puna u kthye në stilin “një kolicë e tri kacija””, thuhet në shkrimin e tij në ‘Facebook’.
Ish-diplomati ka kujtuar se tashmë kanë kaluar tre vite dhe askush as s’premtone e as pyet për këtë rrugë. /Insajderi.org/