
Në një intervistë për Ekonomia Online, Bajram Mulaku thotë se ka dështuar “logjika e krijimit të komunave të reja, pa bërë analiza të mirëfillta”.
“Në qoftë se mendohet se duke themeluar komuna më të vogla, mund ta zvogëlojmë papunësinë, duke e rritur numrin punëtorëve në Administratë, nuk është logjikë e mirë kjo”, shprehet kreu i Komunës së Vushtrrisë.
Nëpër Prelluzhë, fshat i banuar me shumicë serbe, kalon hekurudha, e cila ishte një arterie e rëndësishme në vitet 1980-1990, pasi lidhte mes tjerash dhe dy gjigantët industrialë të Kosovës – Trepçën dhe Obiliqin.
Mulaku thotë se e kujton shumë mirë që në periudhën e pushtetit të Milloshoviqit, Akademia e Shkencave të Serbisë e ka pasur në plan copëtimin e Kosovës. Dhe pjesë e këtij projekti ka qenë dhe bërja e Prelluzhës komune, së bashku me dy-tre fshatra përreth. “Ata janë thirrur se po duan regjionin me stabilizu në këtë mënyrë, duke e ndarë Kosovën. Në këtë copëtim, është menduar edhe për këtë komunën e Prelluzhës… Atyre iu kanë interesuar asetet e Kosovës, Trepça dhe Obiliqi”.
Mulaku thotë se sot nuk ka kurrfarë arsye për themelimin e komunës së Prelluzhës. “Nuk është në interes të qytetarëve. Realisht, qytetarët jo vetëm të fshatit Prelluzhë, por edhe të fshatrave ku jeton komuniteti serb në komunën tonë, kanë përfituar shumë projekteve. Nuk kemi bërë kurrfarë ndarjeje”. ka shtuar Mulaku. (Ekonomia Online)