‘Fuqizim i shfuqizimit’, u.d. Kryeinspektori i paligjshëm i Punës merr vendime fill pas pyetjeve të Insajderit - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    ‘Fuqizim i shfuqizimit’, u.d. Kryeinspektori i paligjshëm i Punës merr vendime fill pas pyetjeve të Insajderit

    Insajderi
    30 April 2025 - 14:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi kishte zbuluar se të arrestuarit në Inspektoratin e Punës, edhe pse nuk dolën në punë, kishin vazhduar të merrnin paga. Për këtë e pyeti u.d. Kryeinspektorin, të cilin të paligjshëm e ka shpallur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës. Në ditën që dërgoi pyetje Insajder, ai fuqizoi vendime që kishte shfuqizuar për suspendimin e tre zyrtarëve, përfshirë edhe atë që u arrestua bashkë me ish-Kryeinspektorin, Hekuran Nikçi.

    Gazeta Insajderi

    Në mars të këtij viti Hekuran Nikçi, ish-Kryeinspektori i caktuar me nënshkrim të Albin Kurtit, ishte arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, por jo vetëm këtë krim. Bashkë me të u arrestua edhe Naim Shalaku, i cili është zyrtar i të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës.

    Njësia e Burimeve Njerëzorë në këtë institucion pastaj nxori vendim që të pezullonte Naim Shalakun, që u arrestua bashkë me Niçin, Fitim Dedinca dhe Pashk Vuksani.

    Hekuran Nikçin për ta suspenduar duhet të merrte vendim një Hekuran tjetër -Ministri i Financave, Hekura Murati, tash deputet i Vetëvendosjes. Por, ai nuk e ka bërë ende këtë.

    Në pyetjet që ia dërgoi Gazeta Insajderi ud. Kryeinspektorit, Rizah Plakolli, e që nuk është përgjigjur ende, ishte mbajtur i informuar edhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, si dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë që e ka nën hetim Nikçin e Shalakun. Asnjëri nga ata ende nuk është përgjigjur.

    Por, edhe pse nuk ishte përgjigjur, të njëjtën ditë, më 25 prill 2025, Rizah Plakolli nxori vendimet me të cilat i shfuqizonte vendimet e veta me të culat i kishte shfuqizuar vendimet e Njësisë së Burimeve Njerëzore brenda Inspektoratit, që i patën pezulluar Naim Shalakun, Fitim Dedincën dhe Pashk Vuksanin.

    Pyetjet e Insajderit ishin dërguar paraditen e asaj date.

    Deri tash as Prokuroria Themelore në Prishytinë që i ka nën hetim ish-shefat e Inspektoratit nuk ka komentuar në faktin që personat që i arrestoj, e që së paku njëri prej tyre, Naim Shalaku, ishte nën pezullim për pak kohë, arritën që të marrin paga nga Thesari i Shtetit ani pse teknikisht ata nuk dolën në punë.

    Derisa hetimi i Prokurorisë po vazhdon, e derisa Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), ka konstatuar që vendosja e Rizah Plakollit në pozitën e u.d. Kryeinspektorit ishte vendim i paligjshëm, i njëjti po vazhdon aktivitetin.

    Një ditë më parë (të martën e kësaj jave) u raportua në media se në kuadër të shënim të Ditës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, një delegacion nga Inspektorati i Punës dhe Ambasadorin e Suedisë në Kosovë, së bashku me pjesëtarë të stafit diplomatic vizituan një firmë private.

    Në këtë vizitë, si Kryeinspektor u pa në pamjet e aktivitetit edhe Rizah Plakolli, që është edhe dhëndëri  i Hysni Gucatit.

    “Në cilësinë e ud. Drejtorit Ekzekutiv të Inspektoratit Qendror të Punës, në bashkëpunim me ILO- në dhe mbështetjen e Qeverisë së Suedisë, Inspektorati Qendror i punës shënoi ditën 28 Prill,  me një konferencë  të nivelit të lartë kushtuar temës Siguria dhe Shëndeti në Punë”, thuhet ppo ashtu në një publikim që Plakolli ka bërë në profilin e tij në Facebook.

    Çka tjetër thuhet në vendim për rastin Rizah Plakolli?

    Ministri në largim i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vepruar në kundërshtim me ligjin kur e ka emëruar Rizah Plakollin si ushtrues detyre të Drejtorit të Ekzekutivit të Inspektoratit Qendror të Punës, ka konstatuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    Vendimi i Muratit, i datës 6 nëntor 2023, është kundërshtuar nga Agim Millaku, i cili nga 1 janari 2012 mban pozitën e Zëvendës Kryeinspektorit të Punës për Siguri në Punë. Millaku ka argumentuar se në mungesë të Kryeinspektorit, detyra duhet t’i caktohet zëvendësit përkatës, sipas ligjit në fuqi.

    KPMSHCK ka shqyrtuar ankesën dhe, pas kërkesës për përgjigje nga ministria më 24 mars 2025 dhe pranimit të dokumentacionit përkatës më 4 prill 2025, ka vendosur që ankesa është e bazuar dhe e drejtë. Kolegji i shqyrtimit ka konfirmuar se vendimi i ministrit është në kundërshtim me dispozitat ligjore materiale dhe procedurale.

    Në vendim thuhet se veprimi i ministrit Murati ka shkelur katër ligje të rëndësishme:

    Ligjin Nr. 06/L-197 për Zyrtarët Publikë,

    Ligjin Nr. 06/L-113 për Organizimin e Administratës Shtetërore,

    Ligjin Nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës, si dhe Ligjin Nr. 08/L-063 për Agjencitë e Pavarura.

    Në bazë të nenit 4.4 të Ligjit për Inspektoratin e Punës, zëvendësimi i Kryeinspektorit në mungesë bëhet nga një zëvendës i caktuar për fushën përkatëse, dhe në këtë rast Millaku ka qenë personi kompetent për të marrë përsipër detyrën.

    Gjithashtu, Ligji për Administratën Shtetërore përcakton se ushtruesit e detyrës në agjencitë rregullatore emërohen vetëm me propozim të Qeverisë, dhe jo në mënyrë të njëanshme nga ministri.

    Bazuar në këto gjetje, KPMSHCK ka urdhëruar shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të ministrit Murati, duke konstatuar qartë se është cenuar procedura ligjore për emërimin në pozita të larta publike.

    Shkeljet ligjore në procesin e emërimit të Kryeinspektorëve të Inspektoratit të Punës nuk janë të reja.

    Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në korrik të vitit 2022, kur Qeveria e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kishte votuar Hekuran Nikçin për të marrë detyrën e Kryeinspektorit të Punës.

    Megjithatë, ky vendim ishte marrë në kundërshtim të qartë me legjislacionin në fuqi, pasi ligji kërkon që për këtë pozitë të zhvillohet një konkurs publik dhe procedurë transparente e përzgjedhjes, gjë që nuk kishte ndodhur në këtë rast.

    Pas një monitorimi të jashtëzakonshëm, të bazuar në dokumentacionin e rastit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar parregullsi serioze dhe kishte kërkuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës që të anulohej vendimi i Qeverisë për emërimin e Nikçit.

    /Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark