Emërimi i noterëve nën hijen e shkeljeve: Komisioni me vërejtje, Haxhiu injoron paralajmërimet ligjore - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Emërimi i noterëve nën hijen e shkeljeve: Komisioni me vërejtje, Haxhiu injoron paralajmërimet ligjore

    Insajderi
    30 April 2025 - 19:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Procesi i emërimit të noterëve të rinj del të jetë i komprometuar, me shkelje procedurale dhe dyshime për shkelje ligjore. Në fund të mandatit të saj si Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tani në detyrë, nënshkroi emërimin e 28 noterëve pa marrë parasysh vërejtjet që Komisioni për Zgjedhjen e Noterëve i kishte dërguar përmes një raporti pesëfaqësh, më 11 prill 2025 – vetëm tri ditë para vendimeve përfundimtare.

    Shkelja më e rëndë sipas raportit lidhet me shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Procedurën e Konkurrimit dhe Përzgjedhjen e Zyrave Noteriale (UA nr. 09/2011), që ndodhi më 27 mars 2025, ndonëse konkursi kishte qenë aktiv gjatë kohës që UA ishte ende në fuqi. Ministrja Haxhiu e shfuqizoi këtë udhëzim administrativ pak më shumë se dy javë para se të nënshkruante vendimet për shpërndarjen e noterëve në 16 komuna, shkruan Insajderi.

    Kjo situatë ka nxitur shqetësime të mëdha brenda Komisionit për Zgjedhjen e Noterëve, i cili përbëhej nga: Sefadin Blakaj (kryetar), Arta Morina Mustafa, Nikollë Komani, Emine Abdyli Pozhari, Lulzim Beqiri dhe Trëndelina Qorraj. Komisioni kishte hasur në paqartësi ligjore rreth statusit të UA-së dhe më 1 prill 2025 i kërkoi Ministrisë sqarim dhe ndihmë juridike.

    Gazeta online Reporteri.net e ka siguruar raportin në fjalë. Raporti shpërfaqë vërejtjet e komisionit për shkelje të mundshme procedurale e ligjore, meqë pas tek përfundimit të intervistave për noterët e rinj Ministrja Haxhiu ka marrë vendimin për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2011 për Procedurën e Konkurrimit dhe Përzgjedhjen e Zyrave Noteriale.

    Intervistimi i kandidatëve kishte nisur më 10 mars dhe kishte përfunduar më 12 mars 2025. UA ishte shfuqizuar tek më 27 mars 2025, apo rreth dy javë para se të nënshkruheshin vendimet për emërime dhe nuk është zëvendësuar me ndonjë akt tjetër.

    Kjo kishte shkaktuar edhe paqartësi tek komisioni, që i ishte drejtuar edhe me një shkresë Ministrisë për të kërkuar sqarim dhe ndihmë juridike për statusin juridik të këtij udhëzimi.

    Gjatë administrimit të intervistave me kandidatët pjesëmarrës në Konkurs, si dhe administrimit të informacioneve  të pranuara gjatë zbatimit të mandatit të tij, Komisioni kishte identifikuar ekzistencën e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr.09/2011, e që Paragrafi i 5’të i Nenit 8 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr.09/2011, lexon si në vijim “Kandidatët të cilët kanë kaluar me sukses të gjitha procedurat dhe janë caktuar në një vend për hapjen e e zyrës noteriale kanë të drejtë të konkurrojnë për zyrat tjera të lira noteriale, pas kalimit të periudhës 3-vjeçare nga data e caktimit të zyrës noteriale përkatëse”. Komisioni kishte vërejte edhe fjalinë e dytë e paragrafit të parë e Nenit 76 të Ligjit për noterinë (Ligji në fuqi) cili lexon si në vijim “Deri në nxjerrjen e akteve nënligjore të reja vlejnë aktet ekzistuese nënligjore”, thuhet në raportin e Komisionit për Zgjedhjen e Noterëve, të cilin e ka gazeta online Reporteri.net.

    Dokumenti tregon se Komisioni “llogari” për shfuqizimin e UA-së i kishte kërkuar Ministrisë më 1 prill 2025, 10 ditë para se të dorëzonin raportin.  Anëtarët e komisionit interesoheshin nga MD-ja që të dinin saktësisht nëse i njëjti mund të afektonte interesin juridik të pjesëmarrësve në konkurs dhe trajtimin e të njëjtave në pajtim me kornizën ligjore në fuqi.

    Komisioni kishte mësuar se Ministria e Drejtësisë, me datë 27 mars 2025, me vendim formal kishte shfuqizuar Udhëzimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr.09/2011. Më 1 prill 2025, Komisioni, duke konsideruar sensitivitetin dhe paqartësinë në statusin juridik të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr.09.2011, i kishte dërguar një kërkesë Ministrisë së  Drejtësisë për sqarim  dhe ndihmë juridike në lidhje me sigurimin e një mendimi juridik që do të sqaronte statusin juridik (ekzistencën në fuqi juridike, ose jo, të Udhëzimit administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr.09/2011), si dhe nëse i njëjti mund të afektonte interesin juridik të pjesëmarrësve në konkurs dhe trajtimin e të njëjtave në pajtim me kornizën ligjore në fuqi”, thuhet në raportin 5-faqësh.

    Ministria i ishte përgjigjur Komisionit të nesërmen, duke thënë se  “…Udhëzimi Administrativ 09/2011 nuk do të mund të prodhoj efekte juridike për kandidatët, respektivisht kategoritë e caktuara të kandidatëve përkatës”.

    Pas përgjigjes së pranuar nga MD, Komisioni në raportin e tyre e dorëzuar tek Ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu e kanë larguar plotësisht përgjegjësinë nga vetja lidhur me procesin, duke thënë se barra për këtë pjesë i mbetet Ministrisë.

    …Komisioni është i mendimit që, nuk do të lëshohet në këtë raport në shqyrtimin ose komentimin eventual të statusit juridik të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë nr.09/2011 dhe ose të komentimit të mendimit juridik të lartë cituar dhe inkorporuar në këtë Raport (të Ministrisë së Drejtësisë) dhe/ose nëse dispozitat e Ligjit në fuqi për procedurë administrative mund të afektojnë procedurën e emërimit të noterëve në Konkursin aktual. Rrjedhimisht, Komisioni është i mendimit që, Ministria e Drejtësisë do ta ketë barrën e sigurimit të ligjshmërisë në lidhje me pyetjet dhe dilemat e ngritura para Komisionit – të cilave Komisioni ka konstatuar se nuk mund t’iu siguroj një adresim në këtë raport”, thuhet në raport.

    Noterët e emëruar janë shpërndarë në 16 komuna të vendit. Sipas konkursit që ishte shpallur, pesë janë në Prishtinë, pesë në Prizren, një në Ferizaj, tre në Podujevë, dy në Vushtrri, një në Gllogoc, një në Malishevë, një në Istog, një në Klinë, dy në Fushë Kosovë, një në Dragash, një në Kaçanik, një në Zveçan, një në Ranillug, një në Partesh dhe një në Leposaviq.

    Mosmarrja parasysh e vërejtjeve të komisionit në këtë raport, sikurse edhe shfuqizimi i udhëzimit administrativ pas intervistimit, dhe shkeljet e tjera të mundshme procedurale edhe ligjore në rrjedhën e konkursit, kanë nxitur kandidatët që të ankohen në lidhje me procesin, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Raporti i Komisionit për Zgjedhjen e Noterëve shpërfaqi telashet me këtë proces qysh nga fillimi i saj.

    Komisioni, pasi filloi punën, në fillim të mbledhjeve të para kishte vërejtur një të metë teknike dhe përmbajtësore në tekstin e konkursit të shpallur nga Ministria e Drejtësisë, konkursi datë 17.12.2024: i cili përmbante thirrjen në bazën juridike – Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë – Vendimi 75/2024 dt.02.04.2024, i cili vendim kishte qeverisur konkursin publik paraprak për zgjedhjen dhe emërimin e noterëve publikë në vend…”, thuhet në raport.

    Komisioni i kishte kërkuar ministrisë që të plotësonte konkursin dhe ta reflektonte në të bazën e re ligjore në të cilën thirret. Ky rekomandim ishte marrë parasysh nga Ministria, thekson raporti.

    Ndryshe, procesi i ri për zgjedhjen e noterëve kishte nisur qysh në prill të vitit që shkoi, kur më 15 prill 2024, Ministria ka themeluar komisionin për zgjedhjen e tyre, duke pasur me hapjen e konkursit për 28 noterët e rijnë me 17 dhjetor 2024, i cili më vonë u anulua për tu rishpallur më 14 shkurt 2025, me kritere te reja por si vazhdimësi e konkursit paraprak.

    Nga datat 10 mars deri më 12 mars 2025, komisioni ka zhvilluar intervistat me kandidatët të cilët kanë plotësuar kushtet. Më 27 mars 2025, u shfuqizua Udhëzimi Administrativ nr. 09/2011 për Procedurën e Konkurimit dhe Përzgjedhjen e Zyrave Noteriale. Derisa, me 11 prill 2025 u dorëzua drejtuar raporti i Komisionit për përzgjedhjen e Noterëve. Më 14 prill 2024, Albulena Haxhiu shpalli emërimin e noterëve të rijnë nëpër komuna.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark