Hallakamë në Inspektoratin e Punës, i emëruari i Hekuran Muratit nuk e lëshon karrigen edhe pse ka vendim që u vendos aty jashtëligjshëm - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Hallakamë në Inspektoratin e Punës, i emëruari i Hekuran Muratit nuk e lëshon karrigen edhe pse ka vendim që u vendos aty jashtëligjshëm

    Insajderi
    13 May 2025 - 17:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri në largim i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte emëruar në mënyrë kundërligjore Ud. Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës, Rizah Plakollin. E përkundër që ka vendim se është vendosur aty jashtëligjshëm, Plakolli nuk po e lëshon karrigen, shkruan Insajderi.

    Sipas disa emaileve që ka siguruar Insajderi, Rizah Plakolli, i ka dërguar email zv.kryeinspektorit për punë dhe siguri, duke i thënë se, nuk largohet nga pozita e tij derisa nuk ka ndonjë vendim që shfuqizohet vendimi me të cilin është emëruar.

    “Emailet që jeni duke e i dërguar janë tendencioze dhe njëkohësisht përbëjnë edhe shkelje për arsye se po kaloni kompentencën tuaj , ju njoftoj së unë jam i emëruar Ud.Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës me Vendimin MFPT Nr.protokolli 701/2025 të datës 06.03.2025, po ashtu po ju njoftoj se mua si Ud.Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës nuk më është prezantuar asnjë Vendim që është nxjerr nga Ministri i Financave Punës dhe Transfereve siç e parasheh Neni 35 i Ligjit për zyrtarë Publik (Në rast se një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, nëpunësja/i i nivelit të lartë drejtues e atij institucioni e cakton me vendim ushtruesen/in e detyrës për pozitën e lirë).

    Prandaj për derisa nuk keni një vendim të till me të cilin do të shfuqizohet Vendimi me të cilin jam emëruar unë dhe/ose do të emëroj një person tjetër shkresat dhe emailet e juaja janë tendecioze, shantazhuese ndaj stafit dhe përbëjnë tejkalim të kompetencave tuaja si zv.Kryeinspektor për Siguri në Punë, po ashtu ju njoftoj se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil në Kosovë nuk bën emërimet në pozita të larta drejtuese”, shkruan Plakolli.

    Tutje, emaileve të Plakollit iu është përgjigjur, Agim Millaku, zëvendës i Drejtorit Ekzekutiv për Siguri në Punë.

    Sipas përgjigjes së Millakut, Rizah Plakolli nuk ka vendim të kryej detyrat dhe përgjegjësit në pozitën UD të Drejtorit Ekzekutiv në IQP-së. Tutje ai shkruan se ai vetë në poziten e zëvendësit të Drejtorit Ekzekutiv në IQP do ta mbuloi këtë funksion deri në plotësimin e pozitës së lirë.

    “Të nderuar/a Po ju njoftoi se Organi i Kuvendit të Kosovës- KPMSHCK (Këshilli Për Mbikëqyrje në Shrbimin Civil të Kosovës) me datë 22.04.2025 ka nxjerr Vendimin A.nr. 432/2025 me të cilin e ka shfuqizuar vendimin e Ministrit të MFPT Nr.protokolli 701/2025 të dates 06.03.2025 me të cilin vendim ka qenë caktuar UD I Drejtorit Ekzekutiv në IQP z.Rizah Plakolli. Meqë tani z.Rizah Plakolli nuk ka vendim të kryej detyrat dhe përgjegjësit në poziten UD të Drejtorit Ekzekutiv në IQP-së, atëherë po ju njoftoi se bazuar në Ligjin Nr.2002/9 për Inspektoratin e Punës në Kosovë, Ligjin Nr.06/L-113 për Organizimin e Administratës Shtetrore dhe Agjencive të Pavarura, Ligjin Nr.08/L-197 për Zyrtar Publik dhe Vendimin e Organit kompetent, për qëllim të mos lënies së zbraztive institucionale , unë Agim Millaku në poziten e zëvendësit të Drejtorit Ekzekutiv në IQP e mbuloi këte funksion deri në plotësimin e pozitës së lire. Ju lutem ta respektoni detyrimin e juaj ligjor në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në punë. Me respekt! Agim Millaku Zëvendës I Drejtorit Ekzekutiv për Siguri në Punë”, thuhet në përgjigje.

    Ndërkohë Insajderi në prill kishte raportuar se Ministri në largim i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka emëruar përsëri në mënyrë kundërligjore Kryeinspektorin e Punës, fillimisht Hekuran Niçkin, e së fundmi Rizah Plakollin.

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka miratuar si të bazuar ankesën e parashtruar më 7 mars 2025 nga Agim Millaku, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Muratit të datës 6 mars 2025.

    Në vendimin e saj, KPMSHCK ka potencuar se Ministri është i obliguar të zbatojë këtë vendim brenda një afati prej 15 ditësh nga dita e pranimit të tij, duke e cilësuar procesin e emërimit si të pa përputhshëm me ligjin.

    Nga burime të veta, Insajderi ka mësuar se i emëruar i Muratit është bashkëshorti i vajzës së kryetarit të OVL-UÇK-së Hysni Gucati.

    Çka tjetër thuhet në vendim?

    Ministri në largim i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vepruar në kundërshtim me ligjin kur e ka emëruar Rizah Plakollin si ushtrues detyre të Drejtorit të Ekzekutivit të Inspektoratit Qendror të Punës, ka konstatuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

    Vendimi i Muratit, i datës 6 nëntor 2023, është kundërshtuar nga Agim Millaku, i cili nga 1 janari 2012 mban pozitën e Zëvendës Kryeinspektorit të Punës për Siguri në Punë. Millaku ka argumentuar se në mungesë të Kryeinspektorit, detyra duhet t’i caktohet zëvendësit përkatës, sipas ligjit në fuqi.

    KPMSHCK ka shqyrtuar ankesën dhe, pas kërkesës për përgjigje nga ministria më 24 mars 2025 dhe pranimit të dokumentacionit përkatës më 4 prill 2025, ka vendosur që ankesa është e bazuar dhe e drejtë. Kolegji i shqyrtimit ka konfirmuar se vendimi i ministrit është në kundërshtim me dispozitat ligjore materiale dhe procedurale.

    Në vendim thuhet se veprimi i ministrit Murati ka shkelur katër ligje të rëndësishme:

    Ligjin Nr. 06/L-197 për Zyrtarët Publikë,

    Ligjin Nr. 06/L-113 për Organizimin e Administratës Shtetërore,

    Ligjin Nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës,

    si dhe Ligjin Nr. 08/L-063 për Agjencitë e Pavarura.

    Në bazë të nenit 4.4 të Ligjit për Inspektoratin e Punës, zëvendësimi i Kryeinspektorit në mungesë bëhet nga një zëvendës i caktuar për fushën përkatëse, dhe në këtë rast Millaku ka qenë personi kompetent për të marrë përsipër detyrën.

    Gjithashtu, Ligji për Administratën Shtetërore përcakton se ushtruesit e detyrës në agjencitë rregullatore emërohen vetëm me propozim të Qeverisë, dhe jo në mënyrë të njëanshme nga ministri.

    Bazuar në këto gjetje, KPMSHCK ka urdhëruar shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të ministrit Murati, duke konstatuar qartë se është cenuar procedura ligjore për emërimin në pozita të larta publike.

    Vendimin e plotë e gjeni KËTU.

    Shkeljet ligjore në procesin e emërimit të Kryeinspektorëve të Inspektoratit të Punës nuk janë të reja.

    Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në korrik të vitit 2022, kur Qeveria e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kishte votuar Hekuran Nikçin për të marrë detyrën e Kryeinspektorit të Punës.

    Megjithatë, ky vendim ishte marrë në kundërshtim të qartë me legjislacionin në fuqi, pasi ligji kërkon që për këtë pozitë të zhvillohet një konkurs publik dhe procedurë transparente e përzgjedhjes, gjë që nuk kishte ndodhur në këtë rast.

    Pas një monitorimi të jashtëzakonshëm, të bazuar në dokumentacionin e rastit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar parregullsi serioze dhe kishte kërkuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës që të anulohej vendimi i Qeverisë për emërimin e Nikçit.

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark