Dosja|Për çka u arrestua Hekuran Nikçi, Kryeinspektori me nënshkrim të Albin Kurtit - Insajderi
×
  • Insajderi Video
  • Insajderi Video

    Dosja|Për çka u arrestua Hekuran Nikçi, Kryeinspektori me nënshkrim të Albin Kurtit

    Insajderi
    01 March 2025 - 16:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hekuran Nikçi, me propozimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, ishte votuar për pozitën Kryeinspektor i Inspektoriatit të Punës. Madje kjo ndodhi kundërligjshëm, gjë të cilën e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit, pasi për një pozitë të tillë do të duhej të organizohej konkurs. Pra, nuk duhej të emërohej dikush nga jashtë, por të fitonte kandidati më i mirë.

    Nikçi e mori pozitën si i pari i inspektoriatit të punës, pra organit që duhej të ishte në shërbim të drejtësisë, por sipas dosjes së prokurorisë, as ai vetë nuk e kryente këtë detyrë siç duhet.

    Dy ditë më parë, ai  edhe Naim Shalaku, i cili është zyrtar i të hyrave dhe zotimeve në Inspektoratin e Punës, janë arrestuar.  

    Në dosjen e siguruar nga Insajderi, thuhet se ai kishte keqpërdorur autoritetin e tij, duke i ndryshuar F.K. pozitën e punës, madje duke mos i dhënë mundësinë as të paraqiste ankesë për vendimin e marrë kundërligjshëm nga Nikçi. Për këtë veprim, sipas Prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Po ashtu, kur zëvendëskryeinspektori kishte vendosur që F.K. të kthehej në vendin e tij të punës, vend që e kishte ushtruar para vendimit të Nikçit, ky i fundit e kishte anuluar vendimin e zëvendësit të tij, Agim Millakut. Si pasojë, prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “cënim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.

    Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar thuhet se është bërë nga ai, i cili kishte kërkuar inicimin e procedurës disiplinore për F.K.

    Nikçi, po ashtu, akuzohet për përdorim të paautorizuar të pasurisë së paluajtshme që i ishte besuar për shkak të pozitës që ushtronte, për përdorim të vulave, dokumentacioneve dhe mjeteve të tjera të punës.

    Kujtojmë se Hekuran Nikçi, para arrestimit, kishte refuzuar të lirojë zyrën e tij, edhe pse vendimin e kundërligjshëm të Kurtit për emërimin e Nikçit, e kishin vërtetuar Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

    Në vijim mund të ndiqni storien e realizuar nga gazetarja Dijellza Preniqi, ku tregohen detaje nga dosja e Prokurorisë.

    Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesin e detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark