Costa jep sinjale pozitive nga Prishtina: Shpresoj që të hiqen masat ndaj Kosovës, është koha për hapa përpara - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Costa jep sinjale pozitive nga Prishtina: Shpresoj që të hiqen masat ndaj Kosovës, është koha për hapa përpara

    Insajderi
    14 May 2025 - 19:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë një konference për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, u pyet lidhur me mundësinë e largimit të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

    Costa tha se këto masa janë të lidhura me nevojën për de-përshkallëzim të tensioneve në rajon, veçanërisht në veri të Kosovës, por theksoi se shpreson që situata të stabilizohet në mënyrë që ato të mund të hiqen.

    “Këto masa janë të lidhura me nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dhe ajo që dëshiroj është që sa më shpejt të kemi këtë de-përshkallëzim, e më pas të mund të ecim përpara dhe t’i heqim këto masa. Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë një prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon rregullin se ju jeni plotësisht të angazhuar në këtë rrugë evropiane për të de-përshkallëzuar dhe, siç tha Zonja Presidente dje, për t’u angazhuar në këtë dialog mes Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi Costa.

    Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës është e lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me përkushtimin ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    “Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane”, tha ai.

    Costa e quajti zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor si “investimin më të madh gjeopolitik” të Bashkimit Evropian.

    “Është një mundësi e madhe për Ballkanin Perëndimor dhe është thelbësore që të vazhdohet me agjendën e reformave dhe të përfitohen benefitet e saj. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

    Nga ana e saj, Presidentja Vjosa Osmani nënvizoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat që BE-ja ka vendosur lidhur me masat, duke përfshirë rikthimin në dialog dhe organizimin e zgjedhjeve në veri.

    “Kur janë vendosur këto masa, rikthimi në dialog dhe zgjedhjet e parakohshme në veri kanë ndodhur. Pra, këto janë plotësuar nga Kosova, dhe në vitin e kaluar Borrell ka kërkuar që masat të largohen, pasi Kosova i ka përmbushur kërkesat”, u shpreh Osmani.

    Vizita e Costas në Kosovë është pjesë e një turi rajonal për të riafirmuar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark