
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës ka zbuluar dyshime serioze për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë, transmeton Insajderi.
Sic njofton Policia, gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur asnjëherë institucionin. Ky veprim, sipas Policisë, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në buxhetin publik.
Hetimet kanë zbuluar edhe tërheqje të parregullta të mjeteve financiare, si dhe blerje të pajisjeve elektronike pa ndonjë justifikim të nevojave institucionale.
Vlera e dëmit të shkaktuar dyshohet se mund të kalojë shumën prej 100 mijë euro. Deri më tani, dy persona janë intervistuar në lidhje me rastin, ndërsa njëri prej tyre është ndaluar dhe dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.