
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zbuluar dyshime serioze për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë, transmeton Insajderi.
Mbi 100 mijë euro të fondeve publike dyshohet se janë keqpërdorur. Për këto keqpërdorime nën pranga ka përfunduar drejtoresha e këtij institucioni K.A dhe Q.M.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë se brenda afatit ligjor do të kërkojnë edhe masën e sigurisë për të pandehurat.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria i shtetit është duke zhvilluar hetimet ndaj të dyshuarave K.A. dhe Q.M., për shkak të dyshimeve të bazuar për ”Keqpërdorim të fondeve publike”. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do t’i propozon gjykatës për caktimin e masës së sigurimit së të pandehurave. Hetimet janë duke u zhvilluar dhe për momentin nuk mund të japim më shumë detaje, për të mos cenuar rrjedhën e procedurës hetimore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Siç njoftoj Policia, gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur asnjëherë institucionin. Ky veprim, sipas Policisë, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare në buxhetin publik.
Hetimet kanë zbuluar edhe tërheqje të parregullta të mjeteve financiare, si dhe blerje të pajisjeve elektronike pa ndonjë justifikim të nevojave institucionale.
Vlera e dëmit të shkaktuar dyshohet se mund të kalojë shumën prej 100 mijë euro. Deri më tani, dy persona janë intervistuar në lidhje me rastin, ndërsa njëri prej tyre është ndaluar dhe dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.