
Kompanisë “Eurovia” i janë gjetur një mal me shkelje në një kontratë një milion e gjysmë euro për mirëmbajtjen dhe riparimin e infrastruturës në deponitë sanitare dhe stacionet e transferit të Kompanisë së Menaxhimit të Deponive në Kosovë (KMDK) nga ana e Zyrës Kombëtare të Audimit (ZKA).
Në një kontratë të vitit 2021, ZKA’ja ka arritur të identifikojë se “Eurovia” në tetë pozicione kishte tejkaluar afro një milion euro vlerën e kontratës, raporton Insajderi.
“Kemi identifikuar se Kompania gjatë realizimit të kontratës “Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së›› nuk kishte arritur të realizoj kontratën sipas kushteve të kontraktuara. Pra, nga nënshkrimi i kontratës në shtator të vitit 2021 deri në qershor të vitit 2023, kemi identifikuar që sasitë e kontraktuara ishin tejkaluar dukshëm në tetë (8) pozicione të kontratës. Pra, vlera e sasive të kontraktuara ishte 304 mijë euro ndërsa vlera e sasive që janë shpenzuar ishte 1.3 milion euro”, thuhet në gjetjet e ZKA’së.
Po ashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se kompania nuk ka arritur t’i dëshmojë blerjet e bëra për realizimin e kontratës.
“Në pozicionet “Furnizime me zhavorr” kemi vërejtur se ishin faturuar dhe certifikuar për pagesë 12,752 m3 zhavorr në vlerë prej 210,408€. Sipas dokumenteve mbështetëse si fletë dërgesat për furnizim me zhavorr, ishin pranuara gjithsej 6,116 m3 në vlerë 100,914€ ndërsa sipas evidencave të brendshme dhe regjistrimeve ditore në ditarët e deponive kemi siguruar dëshmi vetëm për 3,282 m3 apo në vlerë rreth 54,153€”, thuhet në raport.
“Për angazhimin e makinerisë për ngarkimin dhe shtyrjen e mbeturinave vlera e faturuar për 671 orë pune ishte 77,108€ ndërsa sipas fletë dërgesave janë të dokumentuara vetëm 114 orë pune në vlerë 13,110€. Rrjedhimisht, kompania nuk ka arritur të ofroj dëshmi të dokumentimit për punë të pranuara në vlerë 63,998€”.
“Tejkalimet e theksuara të sasive të kontraktuara në tetë (8) pozicione të kontratës, me një kosto shtesë prej 958,189€, kanë bërë që kontrata të tejkalojë pragun e lejuar prej 30%, ndërkohë që 46 pozicione të tjera nuk janë realizuar fare. Bazuar në analizat tona konsiderojmë që kontrata kishte ndryshim thelbësor sa i përket sasive. Prandaj, nëse krahasojmë furnizimet e realizuara të kësaj kontrate me çmimet e ofertës së dytë të përgjegjshme të kësaj procedure rezulton që kostot e furnizimeve të tilla do të ishin më të ulëta për 845,475€”, thuhet në konkluzionet e ZKA’së.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar KMDK’në dhe firmën për ta pyetur nëse është iniciuar ndonjë rast në Prokurori për këtë, por tash e më shumë se tri javë s’ka marrë asnjë përgjigje. /Insajderi.org/