Akuzat e rënda ndaj ndërkombëtarëve – Vokrri fajëson BE-në për trazirat në veri, reagimi i Haxhiut: Distancohemi, deklaratë e papranueshme - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Akuzat e rënda ndaj ndërkombëtarëve – Vokrri fajëson BE-në për trazirat në veri, reagimi i Haxhiut: Distancohemi, deklaratë e papranueshme

    Insajderi
    22 May 2025 - 20:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Arbër Vokrri, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, ka eskaluar me akuza ndaj ndërkombëtarëve në një intervistë. Ai e ka akuzuar palën ndërkombëtare se ka nxitur trazirat në veri në disa situata.

    Vokrri tha se me takimet e tyre kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira.

    Ai përmendi edhe një ndër diplomatët ndërkombëtarë, që është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

    Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    “Është gabim. Distancohemi nga kjo deklaratë, nuk është qëndrim i imi. Është deklaratë e gabuar dhe e papranueshme”, tha ajo në Konfront të KTV-së, përcjell Insajderi.

    “Nuk flet Arbër Vokrri në emër të Qeverisë”, tha ajo teksa shtoi se ai duhet të merret në pyetje nga institucionet e drejtësisë.

    Çka saktë tha Vokrri?

    “Pala ndërkombëtare, unë kam qenë vetë dëshmitar në disa situata që i ka nxitur vetë trazirat. Nuk po them patjetër të përmasave shumë të mëdha, por me deklarimet e tyre, me takimet e tyre kanë inkurajuar eksponentë të lidhur me Listën Serbe që të bëjnë trazira. Janë diplomatë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, e kam përmendur edhe z.Orav, shefi i misionit të BE-së në Kosovë, si njëri nga nxitësit e një prej trazirave. Ka qenë pas atij incidenti, ku u grumbulluan një pjesë e aktivistëve politikë të veriut që njihe për sponsorizim nga shteti serb dhe e bënë një tollovi aty, pasi që përfundoi e tëra, e pashe në rrjete sociale se të njëjtit pak orë para se ta bënin këtë tollovi kanë qenë në takim me të, kjo është vetëm një prej shembujve”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së

    Vokrri ka shtuar se nëse është serioze për shtensionim të situatës në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ndërtonte raporte më të afërta dhe partneritet me qytetarët serbë që janë të interesuar të jetojnë jetë normale në Kosovë.

    Sa i përket shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare për aksionet e fundit të institucioneve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në veri, ai ka thënë se këto shqetësime do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim.

    “Lidhur me shqetësimet eventuale të bashkësisë ndërkombëtare, mendoj se do të duhej të përcilleshin me ndonjë arsyetim apo argumentim, pra përderisa nuk ka as rezistencë nga qytetarët serbë, përkundrazi ka pasur përshëndetje dhe më pas aplikim dhe kërkim për të marrë shërbime nga këto institucione”, është shprehur ai./Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark