
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka reaguar publikisht lidhur me situatën e krijuar në kryeqytet për shkak të ndërprerjes së shërbimeve nga kompania “Pastrimi”.
Përmes një postimi në Facebook, Kupina ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për gjendjen aktuale të mbeturinave dhe pastërtisë në qytet.
Ai ka shprehur mbështetje të plotë për kërkesat e punëtorëve të “Pastrimit”, duke i cilësuar ato si të drejta dhe legjitime.
Sipas tij, ata janë punëtorë që çdo ditë kujdesen për pastërtinë e qytetit dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe gjatë kohës së pandemisë, kur rrezikonin jetën për të siguruar higjienën publike.
“I quajtëm heronj atëherë – dhe duhet t’i trajtojmë si të tillë gjithmonë,” shkruan Kupina.
Ai rikujtoi se Komuna e Prishtinës mban përgjegjësinë ligjore për menaxhimin e mbeturinave, pavarësisht formës së organizimit të kompanisë, dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ulen në dialog për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të drejtë.
“Zëri i tyre duhet të dëgjohet me seriozitet dhe përgjegjësi,” tha Kupina, duke potencuar se punëtorët nuk duhet të trajtohen si fajtorë, por si pjesë thelbësore e funksionimit të qytetit.