
Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli ka njoftuar se është mirë dje ka vazhduar rrugën pasi ishte ndaluar për disa orë nga autoritet serbe në kufirin e Merdarës, shkruan Insajderi.
Agusholli përmes një reagimi në Facebook tha se ndalimi nuk ishte i lehtë. “Të përballesh me këtë realitet, edhe në vitin 2025, është e dhimbshme dhe zhgënjyese”, shkroi ai.
Statusi i tij, vijon me falënderime ndaj atyre që u shqetësuan për të dhe MPJD që u angazhuan për lirimin e tij.
Statusi i plotë:
Sot, gjatë rrugës për në Lubjanë të Sllovenisë, u ndalova nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Merdarës.
Ndalesë e papritur, pa asnjë arsye të qartë dhe aspak e lehtë sidomos kur udhëton me familjar dhe përballesh me tension të panevojshëm.
Dua të ju njoftoj se tani jemi mirë dhe kemi vazhduar rrugën tonë, por nuk mund të mos them që kjo përvojë ishte e lehtë! Të përballesh me këtë realitet, edhe në vitin 2025, është e dhimbshme dhe zhgënjyese.
Faleminderit nga zemra të gjithëve ju që u shqetësuat, që më keni shkruar, që keni kontaktuar edhe familjen time.
Një falënderim i veçantë për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Kryeministrin Albin Kurti, si dhe të gjithë atyre që u angazhuan dhe kontribuan në lirimin tim!