
Avokati Ardian Bajraktari ka bërë të ditur se ka pranuar opinionin e Institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), që kishte miratuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas Bajraktarit, në përfundimet e këtij institucioni konfirmohen pretendimet e ngritura në padi dhe në kërkesën për sigurimin e saj, duke vërtetuar se vendimi i ZRrE-së është marrë në kundërshtim me ligjin.
“Vendimi është marrë me shkelje ligjore. Këto përfundime janë dëshmi për pasojat e mëdha dhe në formë zinxhirore. Prandaj, pezullimi i zbatimit të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike është i nevojshëm”, ka shkruar Bajraktari në një postim publik.
Ai shpreson se konstatimet e Avokatit të Popullit do të shërbejnë si argumente shtesë për institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të reflektojnë lidhur me këtë çështje që ka prekur drejtpërdrejt qytetarët.
Postimi i plotë:
Sot, kam pranuar opinionin nga Avokati i popullit, lidhur me vendimet e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike
Nga sa mund të shihet në përfundimet e Institucionit të Avokatit të Popullit, qartazi konfirmohen edhe pretendimet tona të cekura në padi dhe propozimin për sigurimin e padisë.
Vendimi është marrë me shkelje ligjore, këto përfundime janë dëshmi për pasojat e mëdha dhe në formë zingjirore, prandaj, pezullimi i zbatimit të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike është i nevojshëm.
Shpresoj që këto përfundime, përkatësisht, konstatime të rëndësishme të jenë argumente shtesë për reflektim nga ana e institucioneve përgjegjëse përkitazi me këtë çështje.