
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratave të këtij të fundit ndaj partive opozitare lidhur me votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Në reagimin e tij, Haziri i ka kujtuar Kurtit se ai vetë ka kundërshtuar “gjithçka në këtë republikë”, duke lënë të kuptohet se kritikat e tij ndaj opozitës janë të pabazuara.
Ai ka theksuar se zgjidhja e bllokadës së krijuar në Kuvend është në dorën e Kurtit dhe se kjo kërkon marrëveshje dhe veprime të dakorduara politike, jo agjenda të fshehta apo veprime të njëanshme.
Sipas Hazirit, për Kuvend dhe Qeveri nuk votohet mbi baza personale apo të fshehta, por për përfaqësues që burojnë nga marrëveshjet politike dhe veprime transparente.
Postimi:
Kemi votuar Presidentë dy herë, por me marrëveshje e për Republikën, që kishte besim e shpresë te populli.
Kemi votuar pa kushte e kërkesa politike, edhe pse votuesit nuk e pëlqenin, por Republika duhet të ecte para.
Tash, për agjenda të fshehura e veprime të njëanshme, nuk votohet as për Kuvend e as për Qeveri.
As për grua e as për burrë, por për pëfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike, që nuk bartin njollën e kontabandës politike, por të meritës politike.
Ai që kundështoi gjithçka në këtë Republikë, e di më së miri ta kuptojë kundërshtimin politik dhe e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës.
Republika, mbi të gjitha!