Shkatërrimi i rrjetit të drogës Kosovë-Shqipëri, hetim që zgjati gati një vit- Krejt çka duhet të dihet për rastin e plantacionit të drogës në Klinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Shkatërrimi i rrjetit të drogës Kosovë-Shqipëri, hetim që zgjati gati një vit- Krejt çka duhet të dihet për rastin e plantacionit të drogës në Klinë

    Insajderi
    02 June 2025 - 13:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në pranga përgjatë së hënës ka rënë edhe i kërkuari i fundit për rastin e fushës së 960 fijeve të kanabisit në fshatin Perqevë të Klinës. Personi në fjalë ishte Albion Kalemi, shtetas i Shqipërisë, i cili dyshohet se bashkë me Marglen Çomanin bashkëpunonin për ta shtrirë shitblerjen e narkotikëve mëtanë Kosovës. Pra, në Shqipëri. Historiku i hetimeve dhe shkatërrimi i rrjetit të drogës:

    Gazeta Insajderi fillimisht kishte raportuar se përgjatë një operacioni të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga prokurori Ersan Qavolli i Prokurorisë Themelore në Pejë, ishin identifikuar 960 bimë të llojit kanabis në rajonin e Pejës. Më saktësisht në Perqevë të Klinës.

    Më 10 gusht të vitit të kaluar, i pari në pranga kishte rënë Silver Qibini, shtetas i Shqipërisë, si i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike. Qibinit iu kishte caktuar masa e paraburgimit, teksa në arrati ishin pesë të tjerë: Gzim Gashi, Faik Gashi, Selim Gashi, Marglen Çomani dhe Albion Kalemi.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar me detaje nga dosja e Prokurorisë lidhur me mënyrën se si funksiononin të dyshuarit si grup. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se sipas raportit të inteligjencës, më 1 gusht të 2024-ës të pandehurit bisedonin mes vete për maska, për vizita në vendin e ngjarjes, për kultivimin e marihuanës dhe çështje të tjera.

    Gjykata në Pejë kishte vlerësuar se të dyshuarit kanë përsëritur në vazhdimësi veprën penale dhe kishte konfirmuar se 960 bimët e marihuanës ishin për t’u nxjerr për t’u tharë e më pas do të përgatiteshin për shitje. Kjo dihej pas vendimit për caktimin e masës së paraburgimit kundër Qebinit.

    Tre vëllezërit Gashi ndodheshin në arrati. Ata madje kërcënonin prokurorin e rastit, Ersan Qavollin, duke i kërkuar që të mbyllen hetimet për ta.

    Përkundër kërcënime, pas më pak se katër muajsh, Policia e Kosovës arrin t’i identifikojë Gzim, Faik dhe Selim Gashin. Me autorizimin e prokurorisë, ata më 30 tetor futen në një shtëpi me qira më që kishin marrë Gzimi dhe Faiku për t’i ikur drejtësisë. Një ditë më vonë, arrestohet edhe Selimi.

    Në dosjen e Prokurorisë për rastin e madh të plantacionit të drogës në Klinë, i cili po udhëhiqet nga prokurori Ersan Qavolli, bëhet e ditur se Gzim dhe Faik Gashi kishin marrë një shtëpi me qira dhe s’e kishin ndërmend të dorëzoheshin.

    Po ashtu referuar faktit se të pandehurit Gzim Gashi, Faik Gashi dhe Selim Gashi nga momenti i kryerjes së veprës penale, ani pse kanë qenë në dijeni se janë në kërkim nga organet e hetuesisë ata prapë se prapë arratisen.

    Të pandehurit Gzim dhe Faik qëndrojnë në arrati deri me datën 30.10.2024 kur pas një pune të shkëlqyer të Policisë së Kosovës, Njësitit për hetimin me narkotik në Pejë dhe institucioneve tjera relevante janë arrestuar në një shtëpi të cilën e kishin marrë me qira dhe kjo rrjedhimisht nënkupton se ata nuk e kishin fare në plan për tu dorëzuar.

    Po ashtu i pandehuri Selim Gashi qëndron në arrati deri me datën 31.10.2024 kur edhe arrestohet nga Policia e Kosovës, stacioni policor në Klinë”, thuhej në dosjen e Prokurorisë, për të cilën raportonte Insajderi.

    Në arsyetimin e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit bëhej e ditur se gjatë momentit të arrestimit, Gzim Gashi e kishte thyer telefonin në mënyrë që të pamundësojë ekzaminimin e tij.

    Do të ekzaminohet telefoni i të pandehurit Gzim Gashi e të cilin e ka thyer në momentin e arrestimit dhe këtë e ka bërë pikërisht që të pamundësojë ekzaminimin e tij ngase aty sigurisht se ka prova tjera të shumta. Do të ekzaminohen provat e sekuestruara nga vendi i ngjarjes dhe provat tjera materiale“.

    Vëllezërit Gashi:

    Insajderi kishte raportuar edhe për të kaluarën kriminale të tre të dyshuarve nga Kosova, të cilët ishin vëllezër.

    Gzim Gashi doli të jetë recidivist dhe se kishte dosje të trashë kriminale. Atij iu janë regjistruar 61 incidente, ku në disa prej tyre ka qenë i përfshirë si i dyshuar.

    Ai ka shënuar incidentet e para penale që nga 2004-a e deri në fund të 2023-ës. Gashi dyshohet për posedim ilegal të armëve, ngacmim, sulm, lëndim trupor, falsifikim dokumentesh, prishje e rendit dhe qetësisë, kanosje, sulm ndaj personit zyrtar…

    Ndaj tij janë realizuar 12 urdhër-arreste, ku ndër të tjera është arrestuar edhe për furnizim, transportim dhe prodhim ilegal të armëve.

    Në anën tjetër, i dyshuari tjetër Faik Gashi ka regjistruar gjithsej dy incidente: Njërën për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe tjetër për falsifikim dokumentesh.

    Ndërkaq, Selim Gashi është hetuar si i dyshuar për nëntë vepra penale në pesë vitet e fundit: shmangie nga tatimi, kanosje, vjedhje, lëndim i rëndë trupor, lëndim i lehtë trupor, sulmi dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ai është edhe përsëritës i disa veprave penale, sikurse është kanosja dhe lëndimi trupor.

    Atij iu kishte sekuestruar më 2024-ën një pistoletë.

    Pas gati një viti, Policia e Shtetit arriti t’i arrestojë përbrenda territorit të Shqipërisë dy të dyshuarit tjerë: Marglen Çomanin dhe Albion Kalemin.

    Marglen Çomani, një nga disa të dyshuarit lidhur me plantacionin e zbuluar me kanabis në Perqevë të Klinës, u ekstradua në Kosovë disa ditë më parë.

    Çomani u arrestua në Gjirokastër të Shqipërisë si i kërkuar për rastin e plantacionit me 960 bimë kanabisi në Perqevë të Klinës.

    Falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë së Kosovës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Marglen Çomani 38 vjeç, banues në fshatin Krahës, Memaliaj. Gjykata e Kosovës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

    Përgjatë së hënës, Policia e Shqipërisë njoftoi edhe për arrestimin e Kalemit. Kalemi u kap në Tepelenë të Shqipërisë.

    Ndaj tij ishin lëshuar 2 urdhër arreste nga Gjykata e Pejës, për kultivim të bimëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij pritet ekstradimi i 37-vjeçarit, ka njoftuar policia shqiptare.

    “Me 2 urdhër arreste nga Gjykata e Pejës, për kultivim të bimëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje, kapet me qëllim ekstradimin, 37-vjeçari. Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, nga rrjeti ENFAST, ndërmjet homologëve në njësisë FAST, në Shqipëri dhe në Kosovë, u kap në Tepelenë në vijim të operacionit “The wanted”, shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Kosovës, A. K., 37 vjeç, i lindur në Tepelenë“, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

    Njësiti për hetimin e trafikimit me narkotik në Pejë në bashkëpunim me njësitë tjera policore, si: FIT, Fast Kosova dhe AKI u angazhuan intensivisht në kapjen e të dyshuarve. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark