
Prokuroria Themelore në Prizren ka realizuar një operacion madhor që nga mëngjesi i së mërkurës.
Në pranga kanë rënë 17 të dyshuar për degradim të ambientit, shkruan Insajderi.
Në një konferencë për media, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë se operacioni është realizuar në 14 lokacione.
“Janë sekuestruar 38 mjete pune të ndryshme, me një vlerë të përgjithshme rreth 2 milionë euro. Arrestimet janë kryer në zona të ndryshme, që shtrihen nga Krusha e Vogël deri në Landovicë”, tha Kryeziu.
Ai në një konferencë për media tha se aksioni ishte rezultat i një hetimi intensiv katërmujor.
“Kemi zhvilluar hetime ndaj personave që kanë degraduar mjedisin. Këta të pandehur kanë vepruar që nga viti 2016. Asnjë prej operatorëve ekonomikë nuk kanë pasur licenca për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit,” theksoi ai.
Kreu i organit të akuzës në Prizren theksoi përveç hetimeve të detajuara, janë përdorur edhe materiale filmike të mbledhura gjatë ditës dhe natës, të cilat besohet se do të shërbejnë si prova të forta për ndjekjen penale të të dyshuarve.
“Kemi marrë filmime ditën dhe natën, dhe besoj që kemi arritur të sigurojmë prova të mjaftueshme për t’i vendosur para drejtësisë,” deklaroi Kryeprokurori i Prizrenit para mediave.
Gazeta Insajderi raportoi më herët me burime se ky operacion kishte synim goditjen e krimit kundër ambientit.