
Edin Berisha, biznesmeni suharekas që ka në pronësi disa biznese dhe është aksionar i klubit futbollistik “FC Suhareka”, ka rënë në pranga në operacionin e madh kundër drogës “Qielli i Thyer”, të autorizuar nga Prokuroria Speciale.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 të arrestuarve lidhur me rastin e drogës.
Gazeta Insajderi merr vesh se në mesin e 22 të arrestuarve është edhe Edin Berisha, i cili është aksionar dhe anëtar bordi i klubit futbollistik “FC Suhareka“, e cila luan në Superligën e Kosovës.
Insajderi merr vesh nga burime brenda organeve të drejtësisë se Berishës i janë sekuestruar dy armë, tri vetura, të holla në vlerë prej 34,100 eurosh dhe gjësende personale si ora dore.
Atij iu janë konfiskuar edhe pasaportat e tij kosovare dhe franceze, me qëllim të evitimit të arratisjes.
Berisha, përveçse është aksionar në klubin e dytë futbollistik të Suharekës, ai është edhe biznesmen në disa firma. Ai është në pronësi të firmës së ndërtimit “ImmoInvest” Sh.P.K, ku ka 50 për qind të aksioneve.
Berisha është edhe aksionar me 100 për qind të aksioneve në firmën “ED INVEST SH.P.K”, e cila për aktivitet kryesor e ka të regjistruar nxjerrjen e xeheve të tjera jo-hekuri.
Ai po ashtu është aksionar edhe në firma për prodhimin e kabllove optike, Fiber Tech SH.P.K., në agjencinë “OUTDOOR ADVERTISING SH.P.K” (60 për qind të aksioneve), Fashion Company SH.P.K dhe Lagja Gjermane SHPK.
Berisha përmes mbrojtjes në seancën e mbajtur për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij dhe 21 të tjerëve të dyshuar për shitblerje droge dhe pastrim parash, është deklaruar i pafajshëm.
Klubi futbollistik “FC Suhareka” nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar që nga momenti i arrestimit të aksionarit të tyre.
Dosja “SKY ECC” për 22 të dyshuarit
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë, ku thuhet se 22 të dyshuarit vepronin si grup kriminal. Ata porosinin substanca narkotike të llojit: kokainë, heroinë dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia. Destinacioni ishte Kosova.
“Aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë fillimisht duke aranzhuar porosit e narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes pjesëtarëve të këtij grupi sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejner të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunker duke e kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikut, të njëjtën përmes rrugëve tokësore, porteve detare, përmes Shqipërisë, Maqedonisë se Veriut e sjellin në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Siç thotë Prokuroria, për ta shtuar sasinë e narkotikut, të dyshuarit e përziejnë me sodë buke dhe përzierës të tjerë dhe e transportojnë për në Serbi, Bosnje, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Një sasi tjetër e shesin në Kosovë.
Në dosje thuhet se të dyshuarit s’kursejnë asnjë formë për ta mundësuar transportimin e drogës jashtë shtetit.
“Të pandehurit nuk kursejnë asnjë mjet për të ja arritur qëllimit, qoftë duke korruptuar zyrtarë shtetërorë, e në raste të caktuara edhe duke eliminuar fizikisht ndonjë anëtar të grupit nëse i njëjti nuk vepron sipas udhëzimeve të grupit të organizuar kriminal”, thuhet ndër të tjera.
Në dosjen të cilën ka parë Gazeta Insajderi, në arsyetimin e Prokurorisë Speciale që të lihen në paraburgim të dyshuarit thuhet se ekziston rreziku i arratisjes, për faktin se disa të dyshuar ndryshonin identitetet e tyre që t’ju shmangeshin fletarresteve ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për Ragip Bislimin, Abedin Gjakovën dhe Roland Beqirin, të cilët dyshohet ta kenë kryer një veprim të tillë.
“Arsyeja e arratisjes gjen mbështetje edhe në faktin se një pjesë e të pandehurve kanë ndërruar identitet apo edhe kanë marrë identitet të rreme si që është i pandehuri Ragip Bislimi, Abedin Gjakova, Roland Beqiri, krejt kjo me qëllim që të ju shmangen identifikimit nëpër pikat kufitare dhe për të ju shmangur fletarresteve të mundshme që mund të kenë nëpër shtete të tjera”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Prokurorisë.
Babai i gjyqtares, vëllai i Alban Dezdarit të arrestuar për drogë
Në mesin e 22 të arrestuarve, siç ka mësuar Gazeta Insajderi, është edhe Rifat Vuçetaj, babai i gjyqtares Albina Vuçetaj, e cila është pjesë e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Rifat Vuçetaj ishte dënuar edhe më herët me pesë vite burgim për çështje të narkotikëve.
Insajderi ka mësuar edhe se në mesin e të arrestuarve është edhe Kurbin Dezdari, vëllai i Alban Dezdarit.
Alban Dezdari është dënuar nga gjykatë e shkallës së parë për përfshirje në vrasjen e dy policëve në Podujevë më 2004. Alban Dezdari akuzohet bashkë me Bedri Krasniqin për implikim në këto vrasje.
Kurbin Dezdari është në mesin e personave të arrestuar në Pejë përgjatë operacionit të gjerë anti-drogë.
Ai ishte cak i një sulmi, që dyshohet të jetë realizuar nga grupi i Demë Elshanit, më 23 janar të 2025-ës. Shpërthimi ndodhi në biznesin e familjes Dezdari. /Insajderi.org/