Qeveria në detyrë rriti shtesat për lehonat, Cakolli: Nuk është në përputhje me ligjin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria në detyrë rriti shtesat për lehonat, Cakolli: Nuk është në përputhje me ligjin

    Insajderi
    05 June 2025 - 15:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë që të rrit shtesat për nënat lehona.

    Sipas rritjes që është bërë, lehonat e papunësuara do të përfitojnë 325 euro për gjashtë muaj, kurse, lehonat e punësuara do të përfitojnë 319 euro për tre muaj. Më herët, lehonat kanë përfituar nga 170 euro.

    Eguen Cakolli theksoi se ndonëse mbështetja për lehonat dhe fëmijët është një politikë sociale e drejtë, mënyra dhe koha e marrjes së këtij vendimi janë problematike dhe pa bazë ligjore.

    Sipas Cakollit, Ligji për Qeverinë e obligon një qeveri në dorëheqje të kufizohet në ushtrimin e funksioneve teknike, të paraplanifikuara dhe brenda kornizës së buxhetit të miratuar më parë. Ai shtoi se vendimi për të shtuar përfitimet në një vlerë totale prej 10 milionë eurosh përbën një obligim të ri fiskal dhe ndryshim të politikës sociale, gjë që nuk i takon një qeverie pa mandat.

    “Ky vendim nuk është as i planifikuar dhe as i justifikuar nga ndonjë situatë emergjente. Ai e kalon kufirin e një administrimi teknik dhe futet në sferën e politikëbërjes pa mandat dhe pa kontroll parlamentar”, u shpreh Cakolli.

    Ai theksoi se neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk duhet të interpretohet ngushtë dhe sipas tekstit, por në përputhje me logjikën kushtetuese të kufizimit të pushtetit në periudha pa mandat.

    Sipas tij, qeveritë në largim duhet të shmangin veprime të tilla që cenojnë ekuilibrin institucional dhe vendimmarrjen demokratike, duke e lënë përcaktimin e politikave të reja në duart e një shumice të re legjitime.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark