
Biznesmeni kosovar, Lorik Tigani, i arrestuar nën dyshimet për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, mohon çdo lidhje me aktivitetet kriminale për të cilat dyshohet, shkruan Insajderi.
Sipas dosjes që ka siguruar Insajderi, Tigani ka deklaruar në gjykatë se nuk ka përdorur kurrë aplikacionin e koduar “SKY ECC”, një platformë që Prokuroria Speciale e Kosovës e përmend si një nga kanalet përmes të cilave janë zhvilluar komunikime të dyshuara kriminale.
Avokati i tij mbrojtës, Florent Latifaj, ka theksuar para trupit gjykues se ndaj klientit të tij nuk ekziston asnjë provë që e lidh drejtpërdrejt me veprime kriminale. Ai ka ngritur pyetjen: “Cilin veprim kriminal ka kryer Lorik Tigani?”
Në dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi, avokati se nuk ka prova materiale që provojnë përfshirjen e Tiganit në rrjete të trafikimit të drogës apo në pastrim parash.
“Nuk ka prova që të lidhin Lorik Tiganin me veprime kriminale, si shitblerje narkotikësh apo pastrim parash. E vetmja pasuri e sekuestruar është një automjet që është pronë e gruas së tij, dhe nuk ka asnjë informacion mbi përdorimin e tij për aktivitete të paligjshme. Kërkohet një tekst konkret nga aplikacioni SKY ECC që të vërtetonte se Lorik Tigani ka komunikuar për çështje kriminale, por deri tani nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka dërguar apo marrë mesazhe në emër të tij”, ka thënë avokati i tij para trupit gjykues.
Lorik Tigani ka deklaruar para trupit gjykues se nuk e ka përdorur kurrë aplikacionin SKY ECC dhe është i gatshëm të përgjigjet në çdo kohë përballë Prokurorisë dhe Gjykatës. Ai theksoi se, nëse ekziston ndonjë provë konkrete ndaj tij, është i gatshëm ta pranojë dhe të përballet me pasojat.
Kush është Lorik Tigani?
Lorik Tigani është pronar i firmës “Tada Group Sh.P.K”, bashkë me ortakun e tij turk Onur Vizdik i cili po ashtu është i arrestuar në këtë aksion.
Tigani dhe Vizdik dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal, i cili ka qenë nën vëzhgim prej kohësh nga njësitë e antidrogës.
Pronarët e firmës “Tada Group” janë emër i njohur për drejtësinë. Ata ishin arrestuar më 2022-ën, meqë ishin kapur me drogë të llojit heroinë prej 83 kilogramësh.